Të enjtën seanca për tekstet shkollore, shtyhet interpelanca e Kurtit për Martin Berishajn

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka deklaruar se seanca e rregullt, e parë për këtë sezon është caktuar të jetë më 14 shtator.

Kusari – Lila njoftoi se në të njëjtën ditë do të mbahet edhe seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita për çështjen e librave shkollor e cila dështoi të mbahet në seancën e datës 4 shtator. Debati parlamentar për çështjen e furnizimit me tekste shkollore të nxënësve të shkollave fillore ka dështuar të mbahet, pasi deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, nuk morën pjesë.

Ndërkaq bëri të ditur se interpelanca e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me përgjegjësinë e tij me ambasadorin Martin Berisha, është shtyrë për një kohë tjetër. Partia Demokratike e Kosovës ka qenë ajo që e ka ftuar kryeministrin Kurti që të jap sqarime “për mos shkarkimin” e ambasadorit në Kroaci.

“Seanca e rregullt, e para për këtë sesion është caktuar më 14 shtator. Seanca mban pikat si vijon: Ligji për parandalimin për dhunën në familje, ligji për të drejtat e autorit, formimi i komisionit ad-hoc për një anëtar te bordit të RTK-së nga komuniteti serb etj” – tha ajo pas mbledhjes së Kryesisë.

“Ne presim sesion të mbarë vjeshtor. Nga ana e pozitës presim përkushtim dhe angazhim maksimal. Kemi shumë punë për të bërë dhe nuk kemi kohë për te humbur”- tha ajo.

“Interpelanca e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me përgjegjësinë e tij me ambasadorin Martin Berisha, është shtyrë për një kohë tjetër kur do të jetë në koordinim me Zyrën e Kryeministrit dhe deputetët e PDK-së”.

Mes tjerash ajo u deklarua edhe për takimin e 14 shtator ku do të zhvillohet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

“Presim nga Bashkësia Ndërkombëtare vlerësim të drejtë mes palëve. Kosova nuk mund të jetë njëanshëm subjekt i trajtimit. Jemi të përkushtuar dialogut e arritjes së marrëveshjes finale për njohje të ndërsjelltë”  – u shpreh Kusari  – Lila.