Të dyshuarve për vepra që lidhen me terrorizëm u vazhdohet masa e arrestit shtëpiak

Ernes Beqiri, Besart Veselaj, Altin Salihu dhe Argjend Hoti, të dyshuar për kryerjen e veprave terroriste, u është vazhduar masa e arrestit shtëpiak deri më 12 tetor 2023.

Ndërsa i akuzuari Liridon Beqiri vazhdon të jetë në arrest shtëpiak deri më 30 shtator.

Të njëjtit fillimisht ishin në paraburgim me kërkesë të prokurores Fikrije Fejzullahu, kurse gjyqtari i procedurës paraprake Musa Konxheli u kishte zëvëndësuar paraburgimin me arrest shtëpiak.

Për KALLXO.com këtë e ka konfirmuar zyra e gjyqtarit Konxheli.

Si rezultat i një aksioni kundër terrorit të dyshuarit e lartpërmendur ishin arrestuar më 15 maj të këtij viti nga Policia e Kosovës.

Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com janë edhe emrat arab të të dyshuarve.

Kështu, i pandehuri Liridon Beqiri quhej “Ebu Jahja”, Besart Veselaj njihej si “Abdul Malik”, e Altin Salihi si “Ebubekir”.

Dosja e Prokurorisë Speciale tregon po ashtu se Policia kishte zbuluar se të pandehurit i kishin shfrytëzuar shtëpitë dhe rrethinat e shtëpive të tyre, në Pejë e Istog, për t’u fotografuar dhe bërë video-incizime duke gjuajtur me armë të llojeve të ndryshme dhe më pas t’i postonin ato në rrjete sociale për të përcjellë mesazh për të tjerët për të shtytur edhe persona të tjerë në kryerjen e akteve terroriste.

Në dosje thuhet se të pandehurit nga një periudhë e panjohur kohore e në vazhdimësi përmes rrjeteve sociale kanë shpërndarë dhe mundësuar mesazhe për publikun me qëllim të shtytjes në kryerjen e akteve terroriste.

Sipas dosjes, gjatë kontrollit në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të pandehurve janë gjetur revole, AK-47, armë me gaz, maskë me logon e ISIS-it dhe mjete të tjera të rrezikshme që paraqesin.

Të arrestuarit po dyshohen për dy vepra penale – shtytje për kryerjen e veprave terroriste dhe për armëmbajtje pa leje.