Njësia Speciale e Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë: Policia zbuloi bazën terroriste në Pejë e Istog

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për Liridon Beqirin, Ernes Beqirin, Besart Veselajn, Altin Salihun dhe Argjend Hotin, të arrestuar dje nën dyshimin për vepra që lidhen me terrorizmin.

Kështu, gjyqtari i procedurës paraprake, Musa Konxheli, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për masën e sigurisë për pesë të pandehurit.

Ndërsa, KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë për këtë rast.

Në dosje, ndër të tjera tregohet se si Policia kishte zbuluar se të pandehurit i kishin shfrytëzuar shtëpitë dhe rrethinat e shtëpive të tyre, në Pejë e Istog, për t’u fotografuar dhe bërë video-incizime duke gjuajtur me armë të llojeve të ndryshme dhe më pas t’i postonin ato në rrjete sociale për të përcjellë mesazh për të tjerët për të shtytur edhe persona të tjerë në kryerjen e akteve terroriste.

Gjatë operacionit të kontrollit në shtëpitë e të pandehurve janë gjetur armë të llojeve të ndryshme, maska me logon e ISIS-it dhe mjete të tjera të rrezikshme që paraqesin armë.

Në dosje thuhet se të pandehurit nga një periudhë e panjohur kohore e në vazhdimësi përmes rrjeteve sociale kanë shpërndarë dhe mundësuar mesazhe për publikun me qëllim të shtytjes në kryerjen e akteve terroriste.