Dosja e Prokurorisë: Të dyshuarit u fotografuan dhe bënë video-incizime me armë dhe të veshur si pjesëtarët e ISIS-it

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për Liridon Beqirin, Ernes Beqirin, Besart Veselajn, Altin Salihun dhe Argjend Hotin, të dyshuar për vepra që lidhen me terrorizmin.

Kështu, gjyqtari i procedurës paraprake, Musa Konxheli, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për masën e sigurisë për pesë të pandehurit.

Ndërsa, KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë për këtë rast.

Në dosje thuhet se të pandehurit nga një periudhë e panjohur kohore e në vazhdimësi përmes rrjeteve sociale kanë shpërndarë dhe mundësuar mesazhe për publikun me qëllim të shtytjes në kryerjen e akteve terroriste.

Prokuroria Speciale pretendon se të pandehurit janë fotografuar dhe kanë bërë video-incizime, në të cilat ata shihen të veshur me uniforma dhe veshje të përshtatura me veshjet e luftëtarëve të ISIS-it, si dhe duke përdorur simbole të kësaj organizate terroriste, ata janë fotografuar duke gjuajtur me armë të ndryshme “me qëllim që këto fotografi dhe video-incizime t’i postojnë në rrjete sociale, me ç’rast do të përcillej mesazhi për të tjerët, përmes të cilave mesazhe do të shtyteshin edhe persona të tjerë në kryerjen e akteve terroriste”.

Sipas dosjes, gjatë kontrollit në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të pandehurve janë gjetur revole, AK-47, armë me gaz, maskë me logon e ISIS-it dhe mjete të tjera të rrezikshme që paraqesin armë.