Armët e grupit terrorist serb që janë konfiskuar nga Policia e Kosovës në Banjskë të Zveçanit Foto: KALLXO.com

Sa mund të dënohen personat e arrestuar për sulmin terrorist në Banjskë nëse gjykata i gjen fajtorë?

Në dosjen e siguruar nga Kallxo.com, të prokurorisë me të cilën është kërkuar masa e paraburgimit dhe e njëjta është aprovuar nga gjyqtari  i procedurës paraprake Valon Kurtaj, përshkruhen edhe veprat penale me të cilat dyshohen Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dusan Maksimoviq.

Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dyshohen për vepra terroriste dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Kurse, i dyshuari Dusan Maksimoviq, dyshohet për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprave terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues e sigurisë.

Sa dënohen kryerësit e këtyre veprave sipas Kodit tonë penal në rastin kur gjykata i gjen fajtorë?

Kodi ynë Penal, në nenet 129 dhe 126 e 33, parashesh dënueshmërinë me burgim të përjetshëm e minimumin me  10-15 vite burgim për veprat penale për të cilat prokuroria dyshon se janë kryer.

Kushdo që kryen vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm, në këto raste; nëse rezulton në vdekjen e një apo më shumë personave; rrezikon jetën e një apo më shumë personave; vepra përcillet me dhunë të rëndë ose shkatërrim në shkallë të madhe; ose nëse vepra ka rrezikuar sigurinë ekonomike dhe ushtarake të Republikës së Kosovës.

Tutje sipas Kodit, lidhur me këtë vepër nëse kryesi me dashje ka privuar nga jeta një apo më shumë persona, kryesi dënohet me burgim së paku 10 vjet ose me burgim të përjetshëm.

Dënim i njëjtë për këtë vepër shqiptohet nëse kryhet vepra gjatë kohës së luftës, rrezikut të pashmangshëm për luftë, konfliktit të armatosur apo gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.

Kurse, dënueshmëria për kryerje të veprave terroriste minimumi është 15 vite ose me burgim të përjetshëm kur vepra rezulton me vdekje të një apo më shumë persona, kursëe nëse rezulton me lëndime të rënda të një apo më shumë personave, dënimi minimal është 10 vite.

E dhënia e ndihmës dënohet më butë sesa kryerësi, sipas Kodit penal.

Sot gjatë paraditës u mbajt seanca për caktimin e paraburgimit, nën masa të rrepta të sigurisë nga Njësia Speciale, për Blagoje Spasojeviqin dhe Dusan Maksimoviqin në të cilën u aprovua kërkesa e prokurorit Naim Abazi për caktimin e masës në fjalë.

Paraburgimi i ishte caktuar mbrëmë edhe të dyshuarit Vladimir Toniq, ku seanca ishte mbajtur në hapësirat e QKUK-së pasi i dyshuari është plagosur dhe po merr trajtimin mjekësor.