Abelard Tahiri, Foto: PDK
Tahiri paralajmëron dërgimin në Kushtetuese të Ligjit për Fondin Sovran
Cënim të parimeve themelore të ekonomisë në Kosovë, e ka quajtur Abelerad Tahiri nga PDK, miratimin e projektligjit për Fondin Sovran, në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës.
Tahiri ka paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
“Në seancat e djeshme të Kuvendit, shumica parlamentare rikonfirmoi angazhimin kundër rendit kushtetues. I tillë ishte rasti me miratimin e Ligjit për Fondin Sovran, me të cilin cenohen parimet themelore të organizimit ekonomik të Republikës, si konkurrenca e lirë, liria ekonomike, trajtimi i barabartë i investitorëve”- ka shkruar ai.
Tahiri ka thënë se me Ligjin për Fondin Sovran “krijohet një megastrukturë burokratike që dëmton buxhetin e shtetit, krijon pasiguri juridike dhe mbi të gjitha cenon vlerën kushtetuese të sundimit të ligjit”.
“Ky ligj, qindra miliona euro koncentron në duart e një grupi të pushtetit, ndërsa mijëra punëtorë të ndërmarrjeve rrezikojnë të mbesin në rrugë, duke i zëvendësuar me militantë partiak e me familjarë të pushtetarëve.Prandaj, do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, ku me argumentet juridike do të angazhohemi për ta rrëzuar edhe këtë ligj, që bazën ideologjike e ka në ekonomitë komuniste”- thuhet në postimin e Tahirit në Facebook.
Deputeti i PDK-së ka kritikuar gjithashtu edhe shkarkimin e anëtarit të Këshillit Prokurorial Agron Beka duke e quajtur cenim arbitar të pavarësisë dhe punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Projektligji për Fondin Sovran u votua në seancën e Kuvendin e Kosovës me 62 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim, në seancën plenare të së premtes.
Çka është Fondi Sovran?
Fondi Sovran është shuma e mjeteve monetare që krijon Qeveria për qëllime të investimeve. Këto mjete monetare zakonisht mblidhen nga surpluset e rezervave, nga shitja e resurseve natyrore, nga privatizimet etj. Diçka e tillë ekziston në Norvegji, në Singapor, në Kuvajt etj.
Fondi Sovran do të funksionojë si shoqëri aksionare.
Ky Fond ka qenë premtim i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare.
“Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri, do t’i japë jetë të re aseteve që qëndrojnë të nën shfrytëzuara në AKP, do t’i japë një shtytje dhe orientim të ri ekonomisë së Kosovës. Fondi pritet që të kryejë jo vetëm një rol mbikëqyrës të aseteve të Kosovës” – kishte thënë Albin Kurti, kryeministër i Kosovës kur ishte miratuar koncept dokumenti për Fondin Sovran.