Sylë Hoxha, Prokuror Special - FOTO: Fatrion Ibrahimi - KALLXO
Sylë Hoxha: Tërheqja e letër-rreshtimit ndaj Radoiçiqit e papritur
Ish prokurori special i Kosovës Sylë Hoxha ka reaguar pas tërheqjes së letër-rreshtimit ndërkombëtar kundër nënkryetarit të listës serbe Milan Radoiçiq.
Hoxha i cili i ka zhvilluar hetimet në lidhje me vrasjen e ish politikanit serb Oliver Ivanoviç deklaroi se tërheqja e letër rreshtimit në këtë mund ta dëmtoj procesin.
“Unë se kam prit një vendim të tillë, çfarë forma kanë vendos unë nuk mund ta dijë, unë kam pas prova atëherë pasi pa prova nuk ish vendos letër rreshtimi nga gjykata, tërheqja e tillë mund ta dëmtoj procesin”, tha Hoxha.
Ai shtoi se për tërheqjen e letër-rreshtimit duhet të gjenden prova që e përjashtojnë atë nga rasti, pra duhet të ketë arsye se i njëjti nuk ka nevojë të kërkohet më.
“Duhet me pas prova me u revoku, duhet me u gjete që s`ka prova më për të me u kërku, unë mos me pas pas prova as nuk e kisha kërku e as nuk ma kishin aprovu gjykata”, shtoi Hoxha.
Millan Radioiçiq ishte vënë në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata pas kërkesës së ish prokurorit Sylë Hoxha.
Ai dyshohej se ka gisht në vrasjen e liderit të nismës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviq.
Ivanoviq ishte qëlluar për vdekje mëngjesin e 16 janarit të vitit 2018. Pas një kohe të gjatë hetimore dhe dëgjimit të rreth 40 dëshmitareve në muajin korrik të vitit 2019 Radoiçiq ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet kosovare.
Letër-rreshtimi ndërkombëtar ndaj tij është tërhequr në muajin shkurt të vitit 2021 nga departamenti special i Gjykatës së Prishtinës.
Lajmin për tërheqjen e letër-rreshtimit e ka konfirmuar gjyqtari Valon Kurtaj.
Kurtaj për KALLXO.com ka thënë se e ka revokuar letër-rreshtimin ndërkombëtar pasi këtë e ka kërkuar Prokuroria Speciale e Kosovës.
“PRSK (Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës) ka bërë kërkesë për tërheqjen e letër-rreshtimit dhe gjykata duke vepruar sipas kërkesës së saj e ka tërhequr letër-rreshtimin”, tha gjykatësi Kurtaj për KALLXO.com.
Milan Radoiçiç, ishte intervistuar nga organet shtetërore të Serbisë, pas kërkesë të Prokurorisë së Shtetit të Republikës së Kosovës, ndonëse ndaj të njëjtit është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve.