Sveçla: Veriu po ecën drejt normalitetit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se veriu i Kosovës po ecën drejt normalitetit.

Sveçla këtë deklaratë e ka bërë në një status në Facebook, ku ka njoftuar për bastisjet e sotme të Policisë së Kosovës në lagjen e njohur si “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut, ku u konfiskuan disa pajisje të ndryshme, përfshirë edhe shok-bomba.

“Luftimi i krimit të organizuar në çdo cep të vendit është prioritet i yni. Për më shumë se 20 vite, veriu i shtetit tonë kryesisht ka jetuar në ilegalitet. Grupet dhe veprimtaritë kriminale kanë lulëzuar e paradoksalisht kanë qenë normaliteti. Ky realitet i mëparshëm po zbehet ditës-ditës. Qytetarët tanë pa dallim kërkojnë rend, ligj e siguri”- ka shkruar ai në Facebook.

Sveçla po ashtu ka dhënë detaje se çfarë saktësisht është gjetur në bastisjen e kryer në një banesë në rrugën “Kolashini”, saktësisht në katin 11 te ‘Tre rrokaqiejt’.

“Në banesë janë gjetur dhe konfiskuar 60 kartela grafike, makina antiminer S9, 13 ventilatorë, poça elektrikë që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llampë elektrike për laborator, municion 51 fishekë dhe 8 mjete shpërthyese të improvizuara”- ka shkruar ai.

Sveçla ka thënë se aksioni i sotëm është edhe falë bashkëpunimit të qytetarëve të pjesës veriore me Policinë e Kosovës.

“Ndaj ne po punojmë progresivisht që pesha e krimit mos të bjerë mbi qytetarët e ndershëm të Republikës. Aksioni është arritur falë dhe bashkëpunimit të qytetarëve të pjesës veriore, në luftën ndaj krimit të organizuar si dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë”- ka shkruar tutje ai.

Sveçla ka thënë se për vite me radhë, në veri shteti është sfiduar nga ekstremistë e kriminelë ordinerë.

“Për vite me radhë, në veri shteti është sfiduar nga ekstremistë e kriminelë ordinerë. Ata kanë patur dy motive: pasurimin e jashtëligjshëm dhe luftimin e shtetit të Kosovës. Adresa, shtysa dhe financimi gjithmonë mbetet në Beograd, ku Vuçiqi me bandat e kriminelët e tij ka tentuar dhe vijon të tentojë minimin dhe destabilizimin e shtetit tonë”- ka shkuar ai.

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion policor gjatë ditës së sotme në lagjen e njohur si “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut.

Aksion policor në Mitrovicë të Veriut, konfiskohen disa pajisje narkotikësh e shok-bomba – Pamje