AKP nis verifikimin e aseteve brenda 'Hotel Banjska', asistohet nga policia

Agjencia Kosovare e Privatizimit gjatë ditës së sotme ka qenë brenda objektit të ‘Hotel Banjska’ në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Kjo pasi që të njëjtit kanë nisur regjistrimin e aseteve brenda këtij hoteli.

KALLXO.com mësoi se zyrtarët e Agjencisë Kosovare për Privatizim u asistuan edhe nga Policia e Kosovës.

Zyrtarët e AKP-së gjatë ditës nisën regjistrimin e aseteve që gjenden brenda këtij objekti.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëvendësdrejtorin e Policisë në veri, Veton Elshani.

Ai konfirmoi se gjatë ditës kanë asistuar ekipin e AKP-së në këtë lokacion.

“Po mund të ju konfirmoj se gjatë ditës së sotme ekipet e policisë kanë asistuar zyrtarët e AKP-së në këtë objekt në Banjskë. Aktualisht zyrtarët policorë dhe ata të AKP-së gjenden brenda objektit”- ka thënë Elshani për KALLXO.com.

Objekti i Hotelit në Banjskë nuk ka funksionuar që nga 24 shtatori 2023, kur në fshatin ku është i vendosur ky hotel u regjistrua një sulm terrorist nga një grup prej më shumë se 50 personash të cilët përmes rrugëve ilegale kishin hyrë brenda territorit të Kosovës nga Serbia dhe kishin sulmuar Policinë e Kosovës në të cilin vdiq edhe rreshteri policor Afrim Bunjaku.