Xhelal Svecla, Qeveria e Kosoves FOTO: Arta Sopi, BIRN

Sveçla: Në Jarinjë u shfaq një episod i nivelit të lartë të luftës hibride serbo-ruse ndaj Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se në Kosovë po qëndrojnë “aktorë” shtetëror dhe jo shtetëror nga Serbia dhe Rusia duke tentuar të cënojnë sovranitetin e vendit.

Reagimi i Sveçlës vie pas protestës që u mbajt sot në Jarinjë nga ana e Serbisë në të cilën u mblodhën dhjetëra serbë.

Sipas Sveçlës në Jarinjë u shfaq një episod i nivelit të lartë të luftës hibride serbo-ruse ndaj Kosovës.

“Të njëjtët aktorë joshtetërorë, por të cilët i përdor edhe regjimi në Beograd edhe ai në Moskë, të përfaqësuar nga Damnjan Knezheviqi (bashkëpunëtor i organizatës paramilitare famëkeqe ruse Wagner), u mësynë që ta thejnë këtë pikëkalim kufitar…Të armatosurit e maskuar dhe të barrikaduar në rrugë, me mbështetjen edhe të qendrës së spiunazhit rus që gjendet në Nish të Serbisë, po përpiqen që ta cenojnë sovranitetin tonë, duke nxitur provokime agresive në mënyrë që ta largojnë vëmendjen nga agresioni në Ukrainë, ku siç po shihet Putini po e humb luftën”, tha Sveçla.

Sveçla siguroi qytetërët e Kosovës se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitet e nevojshme që të përballet me strukturat kriminale duke paralajmëruar se janë duke për vlerësimet dhe kohën e nevojshme për të.

“Qëllimi ynë i vetëm është të sigurojmë një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim, të sigurojmë lëvizjen e lirë për të gjithë dhe të luftojmë grupet kriminale pa dallim, në të mirën e të gjithë qytetarëve dhe në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të republikës sonë”, theksoi ai në postim.

Të dielën, dhjetëra qytetarë protestuan në pikën kufitare në Jarinjë, nga ana e Serbisë. Situata eskaloi kur protestuesin filluan të tentonin të thyenin kordonin e Policisë së Serbisë për të hyrë në Kosovë.

KFOR sot shtoi trupat në këtë pikë kufitare dhe vendosi tela me gjemba.

KFOR-i kishte informacione për grupe kriminale brenda protestuesve në Jarinjë