Sveçla: Kemi blerë më shumë autoblinda sesa që kemi gjetur në gjithë historinë e Policisë së Kosovës
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë shqyrtimit të ndarjeve buxhetore për vitin 2024 ka folur për blerjet në Policinë e Kosovës.
Ai ka thënë në mandatin e tij janë blerë më shumë autoblinda sesa në të gjithë historinë e Policisë së Kosovës.
“Ne kemi bërë blerje të numrit të autoblindave më shumë sesa të gjitha vitet e mëhershme, kemi ble më shumë autoblinda sesa që kemi gjet në gjithë historinë e Policisë së Kosovës”- u shpreh Sveçla.
Kjo deklaratë e tij erdhi pas fjalimit të deputetit të LDK-së, Anton Quni i cili tha se paratë e ndara janë si investime kapitale të bartura nga vitet paraprake.
“Asnjë investim i ri, vitin e ardhshëm buxheti i MBP-së mund të jetë edhe 300 milionë po kjo nuk luan rol nëse këto nuk materializohen”- tha Quni.
Ndërsa, ministri Sveçla e ka mohuar një gjë të tillë.
Ai ka thënë se ndarjet për Policinë e Kosovës janë është rritja më e madhe ndonjëherë.
“Për 2023 në buxhet kanë qenë të parapara 12 milionë e 667 mijë, kurse në 2024 parashihen 21 milionë e 707 mijë euro. Kjo është rritja më e madhe ndonjëherë. Pa harru investimet e deritanishme. Patjetër që ka probleme dhe nevoja të shtuara por kurrë më herët këtë standard, këto pajisje, këtë investim Policia e Kosovës nuk e ka gëzu”- tha ai.
Kuvendi i Kosovës po shqyrton sot në parim projektligjin për ndarjet buxhetore të buxhetit për vitin 2024.
Buxhetin e vitit të ardhshëm, Kurti e ka quajtur buxhet të mbrojtjes e sigurisë.
Ai ka thënë se për Ministrinë e Mbrojtjes janë paraparë 153 milionë euro, ndërsa për Ministrinë e Punëve të Brendshme 216 milionë euro.