Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Sveçla deklarohet pas suspendimit të drejtorit të Policisë në Mitrovicën e Veriut
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës të Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veriu, Nenad Gjuriq, pasi ky i fundit kishte refuzuar t’i zbatonte vendimet zyrtare.
Sveçla këtë refuzim nga ana e Gjuriqit e ka cilësuar si cenim të rëndë të sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës.
I pari i MPB-së në ragimin e tij ka thënë se suspendimi i Gjuriqit ka ardhur pas veprimeve të tij, të cilat ka thënë se kanë qenë të përsëritshme.
“Në kuptim të këtyre veprimeve të përsëritshme, pas kërkesës së Inspektoriatit Policor të Kosovës dhe inicimin e hetimeve penale, është suspenduar Drejtori Rajonal i Policisë në Mitrovicën e veriut, Nenad Gjuriq” – ka thënë Sveçla.
Ai tutje tha se Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision.
Misioni i tyre Sveçla tha se është sundimin e ligjit dhe krijimi i ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cënon këtë mision dhe bashkë me Policinë e Kosovës do të vazhdojmë zbatimin e tij” – shtoi tutje ministri i Punëve të Brendshme.
Gjuriq u suspendua sot nga detyra e tij nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë me rekomandim të IPK-së,
“Më datë 3 nëntor 2022, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje, Policia tha se suspendimi i Gjuriqit është mbështetur në autorizimet ligjore, më saktë në udhëzimin administrativ numër 04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së.
Në anën tjetër, siç mëson KALLXO.com, Gjuriq nuk ka rezistuar, por ka shkuar në Drejtori të Përgjithshme të Policisë dhe ka pranuar rekomandimin për suspendim.