Sulmi terrorist në Vjenë, 3 të vdekur dhe 15 të plagosur

Policia e Vjenës ka thënë se tre persona janë vrarë – dy burra dhe një grua – si dhe 15 të tjerë janë plagosur, përfshirë një officer të policisë, si pasojë e asaj që Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer, ka thënë se është “sulm terrorist” në qendër të qytetit.

Incidenti ka ndodhur të hënën në mbrëmje.

Sipas policisë, sulmi është kryer nga të paktën një sulmues i cili është qëlluar nga ana e forcave të sigurisë.

Sulmi po konsiderohet të ketë pasur motive islamike.

Ministri i Brendshëm Karl Nehammer e përshkroi sulmuesin e vrarë nga policia si një “terrorist islamik”.

Në një konferencë për media, ai tha se sulmuesi ishte mbështetës i Shtetit Islamik (IS) dhe se shtëpia e të dyshuarit ishte kontrolluar dhe sekuestruar video-material. Policia tha se ai kishte veshur një rrip shpërthyes të rremë.

Çfarë dimë për sulmin?

Policia ka thënë se incidenti ka nisur në sinagogën Seitenstettengasse.

Sipas saj besohet se janë “disa të dyshuar të armatosur me pushkë” në “gjashtë lokacione të ndryshme”.

Ajo po ashtu ka thënë se sulmi është ende aktiv.

“Qëndroni në shtëpi! Nëse jeni nëpër rrugë, strehohuni. Qëndroni larg vendeve publike, mos përdorni transportin publik!”.

Ministri Nehammer ka thënë se sulmuesit “janë tejet të armatosur dhe të rrezikshëm”.

“Ne kemi angazhuar forca speciale dhe tani ata janë duke kërkuar për terroristët e supozuar. Prandaj nuk jemi duke u kufizuar në zonën e Vjenës sepse këta janë aktorë mobilë”, ka thënë Nehammer për transmetuesin ORF.

Policia e Vjenës u ka bërë thirrje njerëzve që të mos shpërndajnë video dhe fotografi nëpër rrjetet sociale.

“Kjo gjë rrezikon forcat policore si dhe popullsinë civile”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.

Policia në Republikën Çeke ka thënë se ka nisur të kryejë kontrolle rastësore kufitare në kufi me Austrinë, pas shqetësimeve se sulmuesit mund të jenë nisur në atë drejtim.

Sulmi ka ndodhur disa orë para se Austria të nisë së zbatuari kufizimet e reja në lëvizje, me qëllim të frenimit të koronavirusit.

Për këtë arsye, shume njerëz janë parë në qendër të Vjenës, nëpër bare dhe restorante, të cilat do të mbyllen deri në fund të muajit nëntor.

Reagimet pas sulmit

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka thënë se republika që drejton ai, po kalon nëpër periudhë të vështirë.

“Dua të falënderoj të gjitha shërbimet e emergjencës që rrezikojnë jetën e tyre për sigurinë tonë, sidomos sot. Policia jonë do të marrë masa vendimtare kundër autorëve të këtij sulmi të tmerrshëm terrorist. Ne kurrë nuk do të lejojmë që të trembemi nga terrorizmi””, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Oskar Deutsch, i cili është në krye në komunitetit të hebrenjve në Vjenë, ka thënë se të shtënat kanë ndodhur në rrugën ku gjendet sinagoga kryesore e qytetit, mirëpo ende nuk është e qartë nëse ky institucion ka qenë shënjestër, transmeton agjencia e lajmeve, AP.

Liderët evropianë kanë dënuar ashpër sulmin.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se Evropa nuk duhet të dorëzohet para këtyre sulmeve.

“Populli francez e ndan shokun dhe dhimbjen me popullin austriak, të goditur në këtë natë nga një sulm në zemër të kryeqytetit të tyre, Vjenës. Pas Francës, një mik yni është sulmuar. Kjo është Evropa. Armiqtë tanë duhet ta dinë kë kanë përpara”, ka thënë ai. /REL