Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

S’u përfshi në Kryesi të LDK-së, Valon Murtezaj: Mospërfshirja nuk ishte aksidentale, ishte e shënjestruar

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valon Murtezaj, ka deklaruar se mospërfshirja e tij në përbërjen e re të Kryesisë së LDK-së nuk ishte aksidentale por e shënjestruar.

Sipas tij, kjo sjellje nuk i takon shpirtit dhe frymës së LDK-së dhe se “shpirti Rugovian nuk e duron këtë”.

“Mospërfshirja në përbërjen e Kryesisë së LDK-së, nuk ishte aksidentale, ishte e shenjëstruar. Kjo sjellje e shëmtuar nuk i takon shpirtit dhe frymës së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shpirti Rugovian nuk e duron këtë” ka deklaruar Murtezaj.

“Liria dhe Demokracia, respekti për mendimin e lirë (pa pasur pasoja), respektimi i rregulloreve, statutit dhe ligjeve, vlerësimi i profesionalizmit dhe etikës në punë, janë vlera më të rëndësishme në një organizatë bashkëkohore të kohës sonë”- vazhdon ai.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme thotë se mbetet një zë që me vendosmëri i thotë mendimet e veta si “njeri i lirë”.

Ky është reagimi i plotë i Murtezajt:

Të nderuara Anëtare dhe Anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,

Bashkëqytetarë dhe bashkëpatriotë,

Zonja dhe Zotërinj,

Ju falënderoj për interesimin dhe përkrahjen dhe besimin e treguar në vazhdimësi.

Në pamundësi që në këtë moment të ju përgjigjem individualisht, të gjithëve gjërë e gjatë, për shkak të numrit të madh, të gjithë ju që më keni shkruar, aktivistëve, qytetarëve pa dallim, gazetarëve, me mirëkuptim po ju shkruaj si në vijim :

Mospërfshirja në përbërjen e Kryesisë së LDK-së, nuk ishte aksidentale, ishte e shenjëstruar.

Kjo sjellje e shëmtuar nuk i takon shpirtit dhe frymës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shpirti Rugovian nuk e duron këtë.

Liria dhe Demokracia, respekti për mendimin e lirë (pa pasur pasoja), respektimi i rregulloreve, statutit dhe ligjeve, vlerësimi i profesionalizmit dhe etikës në punë, janë vlera më të rëndësishme në një organizatë bashkëkohore të kohës sonë.

Prandaj, jam dhe do te mbetem një zë që me vendosmëri i thotë mendimet e veta si njeri i lirë.

Nga përvoja e di që nuk nuk mund t’i japësh dikujt atë çfarë nuk ka kapacitet ta pranojë, e kuptoj dhe kam empati për këtë përplasje të civilizimeve.

Por, jam i pakompromis për Kosovën evropiane, ku dinjiteti, liria dhe demokracia janë të vlera humaniste që ju takojnë të gjithëve.

Shkelja e normave demokratike nuk ka vend në Kosovë.

Zonja dhe Zotërinj,

Ndërgjegja ime është humane, qëndron zgjuar, dhe nuk ka forcë a sjellje autokrate e despotike që mund ta shuajë.

Mentaliteti im nuk është korruptiv dhe shpirti im nuk është profiter.

Nuk ik nga nata, se dua ta bëjë ditë.

Unë jam i Kosovës, dhe këtu do të jem deri sa mali të bëhet hi, e hiri mal përsëri.

Ju dua me shpirt.

Valon Murtezaj ka qenë zëvendësministër i punëve të jashtme dhe këshilltar i Isa Mustafës, kur ky i fundit ishte kryeministër i Kosovës.

LDK zgjedh kryesinë dhe nënkryetarët e partisë – Kjo është përbërja