Skifterat - Foto KF Gjilani - Skifterat

“Skifterat” distancohen nga akti i shëmtuar, kryesia deklaron dorëheqjen

Kryesia e tifozëve të klubit të futbollit Gjilani – “Skifterat” ka reaguar pas sulmit të tifozëve ndaj portierit të KF Ballkani, Stivi Frashëri, i cili si pasojë e lëndimeve është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Gjilanit.

Kryesia e “Skifterave” thotë se distancohet publikisht nga akti të cilin e ka cilësuar si të shëmtuar.

“Distancohemi publikisht nga ky akt i shëmtuar, nuk është në traditën tonë sulmi ndaj lojtarëve të futbollit, përtej kësaj kundrejt një ekipi si Ballkani dhe tifozëve e qytetarëve të Suharekës që gjithmonë na kanë bërë të ndihemi si në shtëpinë tonë!”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, kryesia e “Skifterave” është deklaruar për “DORËHEQJE të PAREVOKUESHME si bartës të organizimit dhe paraqitjeve të grupit!”.

Në njoftimin në Facebook, kryesia e tifo-grupit tregon se e ka vizituar në ambientet spitalore Stivi Frashërin për të parë nga afër gjendjen e tij shëndetsore dhe për të shprehur keqardhje për ndodhinë.