Skandali i Gjilanit: Gjykatësi 'nuk mund të bëhem ma katolik se papa'

“A duhet të bëhemi më katolik se papa”, kjo është përgjigja e gjykatësit Nexhat Aliu kur është pyetur nga gazetarët e KALLXO.com rreth skandalit ku një viktimë e dhunës në familje kërkoi që burri i saj të lirohet nga paraburgimi pas dhunës.

Në përgjigjen për gazetarët gjykatësi ka arsyetuar se nuk janë aty për të prishur familje, por për të rregulluar.

Biseda e zhilluar në mes gjykatësit dhe gazetares së KALLXO.com shpërfaqë qasjen e tij ndaj rastit.

Gjatë ditës së sotme një hulumtim i KALLXO.com zbardhi se si, gjykatësi Nexhat Aliu ka shkelur rregullat e Kodit të Procedurës Penale, duke e përballur një grua me burrin e saj i cili ishte arrestuar për dhunë në familje.

“Dëgjo të tregoj, ne nuk e kemi thirrë. E ka pas një seancë përpara për dhunë në familje, ne nuk i kemi dërguar as ftesë, ka dashtë me ardh, ka dashtë me prezantu edhe ka prezantu, por ne nuk i kemi dërgu ftesë. Po mirë pse unë po t’pyes diçka: A duhet të bëhemi më katolik se Papa, shembull, ajo është gruaja e tij dhe ne nuk jemi me shkatërru familje, jemi për me u mundu me arritë që ata me qenë bashkë prapë”, ka thënë gjykatësi Aliu për KALLXO.com.

Në shpjegime të tjera gjykatësi ka përsëritur se e dëmtuara ka kërkuar të hyjë brenda seancës.

“Unë të tregova që nuk e kemi thirrë, ka qëlluar rastësisht, sepse nuk e kemi thirrë. Ka qëlluar aty ka pyetur a bon me hy, bon, ka hy edhe ka thënë se po deklaron atë që ka thënë”, shtoi tutje gjykatësi.

Tutje gjykatësi Aliu e pranon se Kodi i Procedurës Penale nuk e lejon viktimën të jetë prezent në seancën dëgjimore.

“Jo, dëgjo, kodi e vërtetë është edhe te rastet e shqyrtimeve gjyqësore nuk e lejon por nga praktikat gjyqësore kaniher i kemi thirrë, sidomos në rastet e komunikacionit, te dhuna, i kemi thirrë, sepse na është thënë edhe nëpër seminare që me këqyr qysh është disponimi edhe i palëve”, shtoi ai.

“Unë kam pasur dilemë se prej prokurorisë lëndët vijnë pak si shpejtë, dhe nuk e kemi ditë se e dëmtuara ku është duke jetuar për momentin. Edhe na ka interesu shumë që po që shembull ne i kishim shqiptuar një masë të arrestit shtëpiak, për mos me dalë katastrofale e dëmtuara në shpi dhe me këtë rast i shqiptojmë masën që me i lanë të dy në shtëpi. E dëmtuara ka ardhur dhe më tha që nuk është e interesuar burrin me dërgu në burg dhe me largu nga puna”, tregoi tutje gjykatësi Aliu.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme në lidhje me skandalin.

Majori i FSK-së dyshohet se rrahu gruan e fëmijët

V. A. gruaja e majorit të FSK-së ka marrë lëndime pasi është sulmuar para dy ditësh nga bashkëshorti i saj.

KALLXO.com zbuloi se Prokuroria kishte kërkuar paraburgimin prej 30 ditësh për të dyshuarin ndërsa për ta zbutur situatën, në gjykatore ishte ftuar viktima e cila në një rast të paprecedent në drejtësi kishte kërkuar që burri i saj të mos burgosej.

Në procesverbal thuhet edhe se e dëmtuara V. A., bashkëshortja e majorit të FSK-së, A. A., ka kërkuar një masë më të butë për bashkëshortin e saj, ani pse ishte kjo e fundit e cila kishte lajmëruar rastin për dhunë në familje.

Si rrjedhojë e kësaj deklarate të paprecedent, gjykatësi ka vendosur ta refuzojë kërkesën e prokurorisë për paraburgimin e majorit duke e liruar atë nga paraburgimi.

Mirëpo edhe përkundër deklaratave të gjykatësit, Kodi i Procedurës Penale ka paraparë rregulla strikte ku personat e paautorizuar nuk lejohen të marrin pjesë në seancë të paraburgimit, përfshirë edhe viktimat.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme raportoi se një major i Forcës së Sigurisë së Kosovës po dyshohet për sulm e kërcënim ndaj familjes së tij.

Prokuroria në Gjilan kishte kërkuar masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj të dyshuarit A. A.

Sipas kërkesës për paraburgim, majori i FSK-së dyshohet se deri para disa dite në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë në familje ndaj gruas dhe dy djemve të tij në Viti.

Gjithashtu, ai dyshohet edhe për kërcënim dhe keqtrajtim duke iu shkaktuar lëndime e frikë gruas e djemve të tij.

Gjithmonë sipas Prokurorisë, më datë 1 dhjetor të këtij muaji rreth orës 17:15, A. A., kishte rrahur e lënduar gruan e tij V. A. për motive xhelozie.

Majori i FSK-së dyshohet se rrahu gruan e fëmijët

I dyshuari i kishte marrë telefonin nga dora gruas së tij dhe me të njëjtin e kishte gjuajtur në kokë, duke i shkaktuar qarje të thellë në njërën pjesë të kokës.

Njëri nga djemtë e të dyshuarit duke parë nënën e tij në gjendje të keqe shëndetësore kishte tentuar ta dërgojë për tretman mjekësor por i dyshuari nuk e kishte lejuar e më pas e kishte dërguar vetë në spital.

Sipas kërkesës për paraburgim, i dyshuari rrugës për në spital kishte kërcënuar gruan e tij duke i kërkuar që e njëjta të raportojë se është vetëlënduar në mobilet e shtëpisë.