Trepça, Foto: KALLXO.com

Sindikata e Minatorëve të Trepçës: Menaxhmenti i ka rreth 80 mijë euro obligime ndaj Sindikatës

Sindikata e Minatorëve të Trepçës pretendojnë se menaxhmenti i Trepçës ka rreth 80 mijë euro obligime ndaj tyre. Sipas Sindikatës, nuk është paguar vlera e plotë e kuotizimit sindikal dhe të njëjtit janë detyruar të paguajnë nga xhepi i tyre.

“Një formë tjetër e pengimit të veprimit sindikal dhe përpjekjes për të zhbërë sindikatën është ndalesa e kuotizimit apo anëtarësisë sindikale. Duke penguar dhe pamundësuar aktivitetin sindikal vazhdimisht. Si rezultat i mostransferimit të këtyre mjeteve për disa vite obligimi tanimë duhet të jetë rreth 80 mijë euro. E tmerrshme. Këto janë mjete të cilat ne i paguajmë nga paga jonë, me djersën e ballit dhe të njëjtat nuk na i transferojnë në llogarinë sindikale” – thuhet në njoftimin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, ka thënë për KALLXO.com se qëllimi i menaxhmentit është zhbërja e sindikatës.

“Njëfarë forme janë duke e luftu sindikatën dhe me e mbyll sindikatën krejt. Qëllimi i tyre është me e mbyll sindikatën, me ia ndal paret e shumë forma të tjera me të cilat po na kërcënojnë, po na shantazhojnë, po na suspendojnë. Të gjitha këto mënyra janë t’u i përdor për me e shu sindikatën, me e shu zanin sindikal të Trepçës, po dojnë me bo autoritare dhe me e kthy sistemin autoritar në Kosovë. Pa mendim ndryshe, pa njerëz që i monitoron, që i këqyr vendimet e tyre edhe që i publikon”- ka thënë Januzi.

Januzi ka thënë se se ato janë para që paguajnë anëtarësia sindikale.

“Ata na kanë borxh, se këto normal janë ato pare që i paguajnë anëtarësia sindikale çdo minatori i cili e merr pagën. Ata i marrin ato pare dhe janë tu i shfrytëzu për forma dhe qëllime dhe nuk po i transferojnë në llogaritë sindikale të cilat i kanë obligim”- përfundoi Januzi.

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje nga menaxhmenti i Trepçës në lidhje me borxhin e pretenduar nga Sindikata por deri në publikimin e artikullit të njëjtit nuk janë përgjigjur.