Si ndodhi shkëmbimi i zjarrit mes Policisë dhe grabitësve të argjendarisë në Suharekë?

Drejtori i Policisë në Prizren, Faton Alija, në një prononcim për KALLXO.com ka dhënë detaje se si ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit mes zyrtarëve të Policisë dhe personave të dyshuar për grabitjen që ndodhi sot në Suharekë.

Ai ka thënë se Policia ka pranuar informacionin për grabitje rreth orës 16:00 dhe patrulla që ka qenë afër vendit të ngjarjes i është përgjigjur rastit.

Sipas tij, ende pa dalë zyrtarët policorë nga vetura, të dyshuarit kanë gjujtur me armë në drejtim të Policisë me ç‘rast lëndime ka marrë polici që ka qenë duke drejtuar veturën.

“Me të pranuar informatën, baza e Suharekës ka shpërndarë informacionin për një grabitje. Ende pa dalë prej veture të dyshuarit kanë gjujtur në drejtim të Policisë, me këtë rast njëri nga zyrtarët që ka qenë duke e drejtuar mjetin ka marrë lëndime të lehta në këmbë dhe ka marrë ndihmë mjekësore, ndërkohë kolegu tjetër ka dalë prej veture dhe ka shkëmbye zjarr me të dyshuarit. Ai ka një lëndim në dorë, do të thotë polici i dytë i lënduar por jo me armë zjarri”- ka thënë ai.

Alija tutje ka njoftuar se të dyshuar për rastin janë katër persona të cilët kanë qenë të maskuar e të armatosur.

Ai ka njoftuar se targat e veturës e të dyshuarve ka rezultuar që janë vjedhur diku në Prishtinë.

“Tabelat kanë rezultuar që janë të vjedhura”- tha ai.

Tutje ai ka bërë të ditur se shitësi i lokalit nuk ka pësuar lëndime.

“Të dyshuarit kanë arritë më marrë një sasi të konsiderueshme të arit në argjendari. Shitësi që ka qenë në lokal nuk ka lëndime. Ata kanë ikur në drejtim të fshatrave. Për momentin dihet që është një veturë ngjyrë hiri”- tha ai.

www.kallxo.com