Si ndodhi incidenti me grushte në Kuvend për të cilin u ngrit aktakuzë ndaj zv/kryeministrit Bislimi dhe tre deputetëve të PDK-së

Kuvendi i Kosovës më 13 korrik 2023 u shndërrua në një arenë përleshjesh fizike, mes deputeteve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, që drejtohet nga Albin Kurti.

Lidhur me ketë ngjarje, sot Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka bërë të ditur se pas zhvillimit dhe zgjerimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave ka ngritur aktakuzë ndaj katër të pandehurve, të cilët janë deputetë të Kuvendit të Kosovës, njëri nga ta zëvëndëskryenistër.

Sipas akuzës, të pandehurit Besnik Bislimi, Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku dhe Bekim Haxhiu, ngarkohen për veprën penale – Sulmi sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, i pandehuri Hajdar Beqa akuzohet edhe për veprën penale – Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Përleshja kishte ndodhur, gjatë kohës sa ishte duke dhënë fjalim kryeministri Albin Kurti.

E gjithë kjo nisi kur deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, përderisa Kurti po deklarohej, vendosi në foltoren e Kuvendit një fotografi të kreut të ekzekutivit më hundë të madhe.

Më pas zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është ngritur nga karriga e tij dhe ka grisur fotografinë.

Pas këtij veprimi, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bislimi. Në mbrojtje të kryeministrit doli ministri i Financave, Hekuran Murati, derisa Bislimi u pa teksa gjuajti një shishe në drejtim të Lushtakut.

Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, shihet duke goditur ministrin Murati. Pas kësaj, kanë ndërhyrë edhe deputetë tjerë të LVV-së e të PDK-së.

Kjo shkaktoi që më pas edhe mbrojtja e Kurtit të hyjë brenda sallës së Kuvendit, përderisa kryeparlamentari, Glauk Konjufca i bëri thirrje Policisë së Kosovës që të shkojë në sallë dhe të ndërhyjë.

Deputetët e partisë në pushtet dhe opozitës kanë filluar të shtyhen mes vete, kur Kuvendi vazhdoi një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në nisje të seancës, deputetët e PDK-së kanë sjellë pankarta të mëdha me fotografitë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila, ku duken me hundë të madhe e me mbishkrimin “Zdravo” [Përshëndetje, në gjuhën serbe].

Kjo si revoltë e opozitës ndaj pushtetit, pas publikimit të disa audio-incizimeve ku dëgjohet biseda e shefes s deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq, në qershor të vitit të kaluar.

Përleshje fizike në seancën e Kuvendit – VIDEO