Si i mashtronin kosovarët gjermanët, dosja e Prokurorisë ndaj 10 të akuzuarve

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj dhjetë personave nën dyshimin se kanë mashtruar disa shtetas të Gjermanisë duke u prezantuar rrejshëm i kanë vënë në lajthim kinse e kanë fituar lotarinë në vlerë të madhe.

Të dyshuarit janë me iniciale A.K., F.G., K.B.,  H.K., E.Z., A.S., Q.K., H.B., L.B. dhe L.B.

Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për persona të tjerë, duke vepruar nga Kosova, por edhe me ndihmën e bashkëkryerësve të tjerë në Gjermani, kanë mashtruar shtetas të Gjermanisë, duke i nxitur që të iu dërgojnë të holla në shuma të ndryshme apo kuponë të Amazon.com, Inc.

Më tej, sipas komunikatës, të pandehurit përmes telefonit, i kanë thirr të dëmtuarit, shumica të moshës së shtyrë, nga regjione të ndryshme të Gjermanisë, e pastaj duke u prezantuar rrejshëm i kanë vënë në lajthim duke iu treguar që kinse e kanë fituar lotarinë në vlerë të madhe, mirëpo, paraprakisht janë të obliguar që t’i paguajnë shpenzimet, ashtu që i kanë nxitur që të dërgojnë të holla përmes bashkëpunëtorëve të tyre në Gjermani apo përmes unioneve financiare si: Moneygram, Western Union, Capital-Ria, Vllesa-Ria, në emra të ndryshëm në Kosovë, apo të blejnë kuponët e Amazon-it dhe të iu tregojnë kodet e tyre, pastaj të pandehurit i kanë shfrytëzuar për blerje personale online.

Kështu që të pandehurit A.K., K.B., E.Z., A.S., F.G., H.K., Q.K. dhe H.B., në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘’Mashtrimi në vazhdim’’.

Ndërkaq, i pandehurit L.B., gjatë vitit 2018/2019, ka filluar të punoj ndaras, në atë mënyrë që me të pandehurin L.B., i kanë kontaktuar viktimat në Gjermani përmes telefonit, e pastaj me ndihmën e bashkëpunëtoreve të tyre C.B., F.H., A.D. si dhe me persona të tjerë të paidentifikuar kanë marrë të holla prej viktimave, si E.B.F. Me këtë, në bashkëkryerje, të pandehurit L.B. dhe L.B., kanë kryer veprën penale ‘’Mashtrimi në vazhdim’’.