Si do të funksionojë ‘Arkitekti i Kryeqytetit’, flet nënkryetari i Prishtinës

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë se një nga arsyet pse është shpallur tenderi për ‘Arkitektin e Kryeqytetit’, është për shkak se në komunë nuk ka pasur projekte të detajizuara.

Në emisionin ‘Kallxo Përnime’, Zogaj tha se ‘Arkitekti i Kryeqytetit’ do të merret pikërisht me këto punë.

“Një prej problemeve më të mëdha që i kemi gjetë në administratë, është se nuk ka projekte të detajizuara. Sepse pa projekte të detajizuara, po hyjmë në implementim e masnej po mbesim aty. Ne do t’i detajizojmë me projekte serioze, që kushtojnë më shtrejntë, por kanë me qenë projekte të mira që kur të kryhet puna, me u kry mirë. E këtë e bën edhe ‘Arkitekti i qytetit’. Përshembull kemi shkuar në zyre edhe e kemi kërku projektin për ‘Rrugën A’ dhe e morëm vesh që nuk ka projekt fare të detajizuar” – tha Zogaj.

Ai bëri të ditur se në Komunën e Prishtinës janë rreth 50 deri në 100 arkitekta, që sipas tij, janë tepër të angazhuar me shumë projekte.

“‘Arkitekti i qytetit’ e ka emrin arkitekt, por në fakt është një konzorcioum i madh i firmave të arkitekturës, e të urbanizmit, të dizajnit e edhe të digjitalizimit, të cilët kanë me punu bashkarisht për me i ndihmu Komunës së Prishtinës për me i projektu, projektet e mëdha që i ka premtu kryetari, e të cilat ne nuk kemi kapacitete të brendshme me i përfundu” – tha Zogaj.

“Ka shumë zyra të tilla nëpër botë, ne nuk po shpikim asgjë. Kemi bo edhe marketing ndërkombëtar për këtë projekt, që me ardhë kompani ndërkombëtare. Kushton, por gjërat e mira kushtojnë” – tha në fund ai.