Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor: Lëndët e dhunës në familje po trajtohen me prioritet të lartë

Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje po diskutojnë në lidhje me çështjet e dhunës në familje dhe dhunës seksuale, shikuar nga këndi i institucioneve që ata përfaqësojnë.

Të ftuar në këtë mbledhje të komisionit janë Jetish Maloku – kryesues i KPK-së dhe Albert Zogaj – kryesues i KGJK-së.

Albert Zogaj, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës tha se të gjitha këto raste kanë prioritet të lartë sepse sipas tij “kemi lëndë të mëdha në Gjykata, në rastet e dhunës e them me përgjegjësi se trajtohen me prioritet të lartë”.

“Dua të theksoj se janë tema që kërkojnë ndërveprim të institucioneve. Ndërveprimi i institucioneve është i rëndësishëm, në qoftë se një rast i dhunës vjen nga një person që ka përdorë drogë gjykatësi nuk mund të paragjykojë por duhet forenzika psikiatrike, nëse kemi vonesë nga ekspertizë rasti vonohet të trajtohet”- shtoi Zogaj.

Zogaj shtoi se niveli i mbrojtjes gjyqësore që e merr një palë varet nga trajtimi në gjykatë.

“Në shumë raste nuk bëhet dallimi në lidhje me mosmarrëveshje bashkëshortore dhe dhunë në familje. Mosmarrëveshja është çështje që nuk përbën dhunë por duhet me bo një përpjekje që rastet e mosmarrëveshjes mos të trajtohen si dhunë”- tha Zogaj.

Alban Bajrami, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje në komision pati pyetje për kryetarin e KGJK-së.

“Kur i marrim dhe i analizojmë rastet e së kaluarës që janë bërë të ditura përmes mediave, vetëm në një rast nuk ka pasë denoncim në Polici, dhjetë raste kanë përfunduar me fatalitet. A keni mendu ose a ka ndonjë dënim të shqiptuar ndaj gjykatësve që kanë dorë të butë ndaj kryersve?”- pyeti Bajrami.

Zogaj në anën tjetër tha se KGJK nuk mund të marr vendim ndaj gjykatësve por ndaj procesit.

“As Këshilli, as një mekanizëm tjetër nuk mund të marr vendim ndaj gjykatësit por ndaj procesit nëse ai ka tregu njëanshmëri. Unë besoj që ecja është progresive aq sa është efekti i politikës ndëshkimore”- tha Zogaj.