Prishtina 2023 - Foto: Denis Sllovinja
Komuna e Prishtinës synon realizimin e projekteve me partneritet publiko-privat, i prezanton edhe tek bizneset në diasporë
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka njoftuar se do të prezantojë projektet e Prishtinës para 150 bizneseve të diasporës në Zurich të Zvicrës.
Ai ka shtuar se Kryeqyteti po promovon dhe insiston që projektet t’i realizojë me partneritet publiko-privat.
“Sot në orën 19:30, në Zurich të Zvicrës, prezantoj projektet e Prishtinës, para 150 bizneseve të diasporës sonë. Ne në Kryeqytet, po promovojmë dhe po insistojmë, që një pjesë të madhe të projekteve tona ta realizojmë përmes metodës së Partneritetit Publiko Privat”- shkroi Zogaj më 24.02.2024 në rrjetin social Facebook.
Implementimin e projekteve përmes fondeve e kredive e ka përmendur në vazhdimësi edhe i pari i Prishtinës, Përparim Rama.
Kryeqyteti për vitin 2024 ka buxhet prej 123 milionë eurove. Sipas kryetarit Rama, mbi 40 milionë për investime kapitale, 6 milionë për transportin publik, 5 milionë për menaxhim të mbeturinave, mbi 4 milionë për nënkalimin në rrugën ‘Agim Ramadani’, mbi 7 milionë për rrugën A, mbi 2 milionë për revitalizim të Tulltores në një vend arti, 2 milionë për ndërtim të Sallës Koncertale dhe Muzeut të arteve, 4 milionë euro për Qendrën Olimpike në Bërnicë, 5 milionë euro për subvencione në fusha të ndryshme.
Buxheti i Prishtinës për vitin 2024 pritet të jetë 123 milionë euro