Prishtina, maj, 2023. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Kabineti i Përparim Ramës fut në listë të veçantë për dhënie në shfrytëzim gjithë pronat e komunës, nuk arrin ta miratoj në mungesë votash

Qeverisja e Komunës së Prishtinës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ka dështuar të votoj listën e veçantë të pronave që planifikon t’i jap në shfrytëzim për vitin 2024, pasi hasi në kundërshtim të opozitës e bojkot të seancës nga partneri i koalicionit, PDK.

Për dallim nga vitet tjera, këtë vit kabineti i kryetarit Përparim Rama ka vendosur të fus në listë të veçantë për dhënie në shfrytëzim të gjitha pronat e komunës, me përjashtim të zonave të mbrojtura si Parku i Gërmisë dhe Badovci, rrugët, shkollat, Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe prona tjera që janë në shfrytëzim.

Nënkryetari i Prishtinës Alban Zogaj para anëtarëve të Kuvendit Komunal deklaroi se këtë vendim për t’i futur gjithë pronat në listë të veçantë e morën pasi vitet e kaluara si komunë kanë qenë të kufizuar në kërkesat që kanë marr prej operatorëve ekonomikë për prona të ndryshme që nuk kanë qenë pjesë e listës për dhënie në shfrytëzim.

“Këtyre zonave në listë ua kemi planifikuar edhe destinimin sipas planifikimit hapësinor, synojmë që mos të trajtojmë kategori të qytetarëve me ekskluzivitete, por t’ua japim shansin që përmes marrjes në shfrytëzim, të zhvillojnë ekonominë e qytetit dhe rritim vlerën e pronës. Kësaj here nuk do e kufizojmë veten në partneritet e mundshme”- është shprehur Zogaj.

Tutje, ai theksoi se si ekzekutiv janë për zhvillim ekonomik të qytetit me Partneritet Publiko-Privat.

“Ne jemi për modelin me Partneritet Publiko-Privat. Pra qasja jonë ka qenë t’i fusim të gjitha pronat e komunës në listë të veçantë për të mos kufizuar veten”- theksoi Zogaj.

Shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla u shpreh se mënyra si është sjellë materiali për këto prona, është mungesë menaxhimi e koordinimi.

“Vërejtjet tona janë për mënyrën si na është prezantuar kjo listë e pronave, materialin e kemi marr vonë dhe ka qenë me rreth 5 mijë certifikata të pronës dhe tërësisht e pamundur për t’i parë në detaje”- u shpreh Sveçla.

Në anën tjetër, asambleisti Bahri Gashi tha se në shumicën e këtyre pronave ka banorë që punojnë tokën ose kanë ndërtuar shtëpi dhe ky votim nga ana e komunës mund të sjellë konflikt.

“Gati 80% e këtyre pronave punohen nga fshatarë të rajoneve nga vijnë, ku keni sjellë një listë pa fol me ta për t`i hequr prej aty. A doni t`i fusni njerëzit në bela. Ju nuk e keni idenë se çfarë po bëni. I keni sjellë mbi 4,800 prona në vend se të bëni listë të veçantë. Jeni bërë si në Pazar”- u shpreh Gashi.

Pas këtyre kundërshtimeve, i pari i kryeqytetit Përparim Rama tha se për çdo propozim krijohet komisioni që e shqyrton nëse ka kontest pronësorë.

“Nëse qyteti i ka 4,886 prona të cilat mund të shfrytëzohen për të mirën publike, kemi marr vendim t’i fusim në listë të veçantë, më pas nëse ka propozime për prona, krijohet komisioni që shqyrton nëse ka kontest pronësorë, por prapë vjen në Kuvend, nuk ka keqpërdorim”- u shpreh Rama.

Kurse, asamblistja e LDK-së, Fiknete Bejta theksoi se nëse nuk ka votim, kryeqyteti mbetet pa listë të veçantë të pronave për dhënie në shfrytëzim për vitin 2024.

“Më Ligjin e ri për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale, nëse deri me 31 dhjetor nuk votohet kjo listë e veçantë, për vitin 2024 nuk kemi prona komunale për dhënie në shfrytezim”- u shpreh Bejta.

Nga 35 anëtarë të pranishëm, me 15 vota për 18 kundër kjo listë nuk arriti të miratohet në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës.

Derisa, partneri i qeverisës PDK ka bojkotuar dy seancat e fundit të Kuvendit Komunal nën arsyetimin se nuk po u jepet hapësirë për të kontribuar në hartim të përbashkët të agjendës legjislative.

Asambleja e Kuvendit të Kryeqytetit ka 50 anëtarë ku partitë në koalicion LDK dhe PDK përbëjnë shumicën, gjë që edhe ndihmon në votim propozimeve e vendimeve të ndryshme edhe pa opoziten që përbëhet nga LVV, AAK, AKR.
https://kallxo.com/komuna/pdk-ne-kryeqytet-bojkoton-seancen-i-thote-ldk-se-se-nuk-jane-makine-votimi/?fbclid=IwAR1L0cMEpQxR0E2-gI21p4MbVFUZZ9LAOXH23yJZVyBtPQ5gEwn1HKHKh5o