Shtetet e QUINT-it: Qeveria ta zbatojë vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

Shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit.

Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara kanë thënë se inkurajojnë fuqishëm Qeverinë e Kosovës që pa vonesa të mëtejshme të vazhdojë me regjistrimin ligjor në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Më 22 Mars, Qeveria e re është emëruar me mandat të fuqishëm për reforma dhe respektimin e sundimit të ligjit. Një nga provat kryesore e vendosmërisë së tij do të jetë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i marrë në maj 2016 mbi regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit. Respektimi i sundimit të ligjit është detyrim për të gjitha qeveritë. Shefat e Misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara inkurajojnë fuqishëm Qeverinë e Kosovës që pa vonesa të mëtejshme të vazhdojë me regjistrimin ligjor në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në komunikatë.

Bëhet fjalë për 24 hektarë tokë që i ishin dhuruar Manastirit të Deçanit me një marrëveshje të Qeverisë së Serbisë dhe këtij manastiri në vitin 1997.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur në favor të Manastrit të Deçanit për pronat e kontestuara të dy ndërmarrjeve publike të kësaj komunë “Apiko” dhe “Iliria” në hapësirën prej rreth 24 hektarësh.

Ka tre vjet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.