ILUSTRIM - Dy doktorë/ infermierë të pajisur me veshjet speciale për t'iu shmangur infektimit me COVID-19, Foto:KALLXO.com

ShSKUK: Jemi të furnizuar mirë me mjete mbrojtëse dhe barna për kujdesin e pacientëve me COVID-19

Shërbimi Spitalor i Kosovës ka njoftuar stafi shëndetësor janë të furnizuar mjaftueshëm me mjete mbrojtëse për trajtimin e pacientëve me COVID-19 edhe pse janë rritur shifrat e të prekurve.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), njofton se përkundër rritjes së numrit të rasteve që po trajtohen me Covid-19, por edhe rritjes së kërkesave nga klinikat dhe spitalet e përgjithshme, furnizimi me material shpenzues dhe masa mbrojtëse për stafin shëndetësorë, përfshirë edhe dorëzat, është i mirë. ShSKUK në bashkëpunim me Departamentin Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë, së fundmi është furnizuar me sasi shtesë të masave mbrojtëse, të cilat përmes Shërbimit Farmaceutik në ShSKUK janë shpërndarë për klinikat që po trajtojnë rastet Covid, por edhe spitalet e përgjithshme”, thuhet në njoftimin e ShSKUK.

Po ashtu, ShSKUK ka njoftuar se është e furnizuar me barnat themelore që nevojiten për trajtim të rasteve me Covid-19.

“ShSKUK në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, do të vazhdojë të furnizojë me masa mbrojtëse klinikat dhe spitalet e përgjithshme”, përfundon njoftimi.