Ilustrim

ShSKUK çoi dëm 104 mijë euro

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) i ka çuar dëm 104 mijë euro, duke paguar shpenzime procedurale të gjykatës (përmbarimit).

E deri tek këto shpenzime ka ardhur për shkak se ShSKUK-ja ka lejuar që fatura në vlerë prej 1.2 milion të ekzekutohen nga Thesari, pasi kishte vendime të gjykatave/përmbaruesve.

“Ne vërejtëm një trend në rritje të pagesave nga Thesari në bazë të vendimeve gjyqësore-përmbarimore. Në vitin 2019 si rezultat i këtyre vendimeve janë realizuar pagesa në vlerë prej 1,219,611 euro, përderisa në vitin 2018 ato ishin në vlerë prej 304,875€”, thuhet në raportin e Auditorit.

Tutje thuhet se një pjesë e këtyre mjeteve të paguara kanë shkuar si shpenzime të gjykatave, pra kanë pas mundësi të eliminohen.

“Ne analizuam informatat për të dhënat e pagesave në vlerë prej 977,953€. Prej tyre borxhi kryesor ishte 873,301€, kurse shpenzimet procedurale të gjykatës (përmbarimit) ishin 104,652€. Kjo formë e pagesave po e rrit koston për organizatën për shpenzimet përtej borxhit kryesor”, thuhet në raportin e Auditorit.

Kjo formë e pagesave, sipas auditorit, po e rrit koston për organizatën për shpenzimet përtej borxhit kryesor.

Auditori shpjeguar se sipas nenit 37 të Rregullës Financiare 01/2013 MF, “të gjitha faturat që i pranon organizata buxhetore duhet të paguhen brenda 30 ditëve në qoftë se nuk është paraparë ndryshe me kontratë”. Në raport thuhet se vonesat në ekzekutim të pagesave kanë ndikuar në rritjen e kostos dhe kanë rrezikuar në disa raste realizimin e projekteve të planifikuara duke ndikuar edhe në keq klasifikimin e shpenzimeve.

Në raportin e auditorit thuhet se zyrtarët janë arsyetuar se mospagesat me kohë të obligimeve ishin si pasojë e mungesës së buxhetit dhe si pasojë kishte edhe raste që mjetet janë marrë nga kategoritë ekonomike jo adekuate.

Është rekomanduar Bordi Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm që të sigurojnë që obligimet që dalin nga marrëveshja kolektive të planifikohen/buxhetohen dhe paguhen në kohën e duhur dhe të gjitha faturat e pranuara paguhen brenda afateve në mënyrë që të evitohen shpenzimet shtesë.