Edi Rama dhe Albin Kurti, Foto: ZKM

Shqipëria fillon lëshimin e leje-qëndrimeve biometrike për qytetarët e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ka njoftuar se ka filluar lëshimi i lejeve biometrike të qëndrimit për qytetarët e Kosovës.

“Pas marrëveshjes mes dy qeverive, Shqipëria ka nisur tashmë me lëshimin e Lejeve të Qëndrimit Biometrike për shqiptarët e Kosovës që jetojnë në vendin tonë. Dy kartat e para iu dorëzuan Aritës dhe Kushtrimit, dy të rinj nga Kosova që punojnë në Tiranë”, ka shkruar Rama në Facebook.

Kryeministri shqiptar ka njoftuar se dokumenti biometrik 5-vjeçar i rinovueshëm pa afat që merret përmes E-Albania është i pajisur me të gjithë elementet e sigurisë dhe shërben gjithashtu edhe si një Leje Pune.

Sipas tij kjo është “procedurë aplikimi online, tërësisht e lehtësuar dhe pa dokumente”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla më 14 shkurt ka njoftuar se ka filluar lëshimi i leje-qëndrimeve biometrike për qytetarët e Shqipërisë që jetojnë në Kosovë.