Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shqipe Selimi: Avokati Young mbetet akoma pjesë e ekipit të mbrojtjes së Rexhep Selimit

Shqipe Mehmeti – Selimi, bashkëshortja e ish-kreut të UÇK-së Rexhep Selimi i cili ndodhet në Hagë, ka reaguar përmes një shkrimi në facebook në lidhje me infomacionin se David Young është larguar nga ekipi i mbrojtjes së Selimit.

Mehmeti-Selimi, e cila njëherësh është edhe deputete e LVV-së, thotë se David Young mbetet akoma pjesë integrale e ekipit të mbrojtjes së Rexhep Selimi, por që për shkaqe shëndetësore, siç ka thënë ajo “në bashkëpunim me z. Young që për një periudhë të pacaktuar avokat kryesor të jetë z. Geoffrey Roberts”.

“E ndjej obligim të bëj këtë sqarim në lidhje me lajmin që po qarkullon sot nëpër medie se Rexhep Selimi ka larguar nga ekipi avokatin e tij z. David Young. Ky është një keq-informim që i bëhet publikut. Z. David Young mbetet akoma pjesë integrale e ekipit të mbrojtjes së Rexhep Selimit. Megjithatë për arsye shëndetësore është vendosur në bashkëpunim me z. Young që për një periudhë të pacaktuar Avokat kryesor të jetë z. Geoffrey Roberts, kurse bashkë-avokat z. David Young”- ka shkruar ajo.

Mehmeti-Selimi është shprehur se ajo dhe familja e saj janë të kënaqur me punën e avokatëve.