Haxhi Shala

Konferenca e parë mbi ecurinë në rastin e Haxhi Shalës do të mbahet nesër

Dhomat e Specializuara kanë caktuar për nesër konferencën mbi ecurinë në çështjen gjyqësore kundër Haxhi Shalës, ish-deputet dhe ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Shala po përballet me akuza për frikësim dhe tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

Sipas aktakuzës së konfirmuar, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit me Dëshmitarin 1.

Shala u arrestua më 11 dhjetor në Kosovë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara më 12 dhjetor 2023.

Në paraqitjen e tij të parë më 13 dhjetor 2023, në mungesë të materialeve i akuzuari vendosi të mos deklarohet në lidhje me fajësinë.

Sipas aktakuzës, me udhëzim të Haxhi Shalës, Januzi dhe Bahtijari u takuan secili më vete me Dëshmitarin 1 në dy raste për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.

Aktakuza madje pretendon se dëshmitari ka thënë se nëse do t’i ofronin 200 mijë euro ata do të arrinin një marrëveshje.

“Dëshmitari 1 u përgjigj se nëse Shala dhe/ose të tjerët i sjellin atij 200 mijë euro, ata do të kishin një marrëveshje. Dëshmitari 1 nuk e konfirmoi apo mohoi të qenit dëshmitar. Januzi tha se do t’u tregonte atyre atë që kishte thënë Dëshmitari 1” – sqarohet në aktakuzën e publikuar.

Sipas Prokurorisë, Haxhi Shala akuzohet për: (I) frikësim dhe (II) tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

Si i përshkruan Prokuroria takimet?

Aktakuza thotë se kontakti i parë mes palëve ka ndodhur më 5 prill, kur Haxhi Shala ka telefonuar Sabit Januzin dhe më pas Ismet Bahtijari po ashtu ka thirrur Januzin.

Më pas, sipas Prokurorisë, Bahtijari ka shkuar në shtëpinë e Dëshmitarit 1 dhe i ka thënë se Shala e ka dërguar për t’i thënë se ai duhet ta tërhiqte dëshminë e tij.

“Bahtijari u largua nga shtëpia e Dëshmitarit 1 dhe shkoi në një makinë aty pranë ku po prisnin dy burra, me një person të tretë në ulësen e shoferit” – thuhet më tej në aktakuzë.

Kjo, sipas Prokurorisë, ka bërë që Dëshmitari 1 të brengoset për sigurinë e familjes së tij.

Pas kësaj vizite, thuhet se Januzi kishte kontaktuar përmes telefonit ndaras me Shalën dhe Bahtijarin për të koordinuar një takim personal në të njëjtën mbrëmje.

“Në ditët në vijim, Shala dhe Januzi, mes te tjerëve, qëndruan në kontakt, duke përfshirë lidhjen me telefon të paktën katër herë midis 6 prillit dhe 9 prillit 2023” – vazhdon aktakuza.

Kontakti i dytë, gjithmonë sipas Prokurorisë Speciale, ka ndodhur më 12 prill, kur Januzi pak pasi ka telefonuar Shalën, ka shkuar në shtëpinë e Dëshmitarit 1.

“Januzi i tha atij se Shala i kishte kërkuar Januzit të vazhdonte vizitën e Bahtijarit dhe të zbulonte se çfarë kishte planifikuar të bënte Dëshmitari 1 dhe si mund të trajtohej çështja e dëshmisë së tij” – thuhet në aktakuzë.

Siç thuhet në aktakuzë, Januzi i kishte thënë dëshmitarit se mesazhi i Shalës është se nëse ai e tërheq dëshminë e tij atëherë Shala dhe persona të tjerë do t’i ofronin atij ndihmë.

“Dëshmitari 1 u përgjigj se nëse Shala dhe/ose të tjerët i sjellin atij 200 mijë euro, ata do të kishin një marrëveshje. Dëshmitari 1 nuk e konfirmoi apo mohoi të qenit dëshmitar. Januzi tha se do t’u tregonte atyre atë që kishte thënë Dëshmitari 1.” – thuhet në aktakuzë.

Menjëherë pas kësaj vizite, Prokuroria pretendon se Januzi ka thirrur përsëri Shalën.

Si pasojë e këtij kontakti, Prokuroria thotë se Dëshmitari 1 ishte edhe më tej i shqetësuar për sigurinë e tij dhe të familjes së tij.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.