Haxhi Shala deklarohet i pafajshëm për akuzat e Gjykatës Speciale

Haxhi Shala, ish-deputet dhe ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është deklaruar i pafajshëm për tre pikat e akuzës që i janë ngarkuar nga Gjykata Speciale.

Shala përballet me akuza për frikësim dhe tentativë me anë të kërcënimit të rëndë, me qëllim pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, si individ dhe pjesë e një grupi të përbashkët. Para gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Shala shprehu pafajësinë e tij.

“Plotësisht i pafajshëm” – tha Shala para gjykatësit të procedurës paraprake Nicolas Guillou.

Sipas aktakuzës së konfirmuar, në periudhën nga 5 prilli deri më 12 prill 2023, Shala së bashku me individë të tjerë si Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u koordinuan si një grup para dhe pas kontakteve personale të Januzit dhe Bahtijarit me Dëshmitarin 1.

Edhe pse ishte parashikuar që deklarata e pranimit të fajësisë ose mospranimit të zhvillohej në një konferencë tjetër, mbrojtja e Haxhi Shalës, avokati Laurens Van Puyenbroeck, kërkoi që ky deklarim të ndodhte sot.

Gjatë konferencës, u bisedua edhe për aspektet e hetimeve dhe procedurave paragjyqësore.

Tans Shahabbudin, përfaqësuesja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, deklaroi se hetimi vazhdon dhe pritet që disa hapa të tjerë të merren në këtë fazë.

Ajo vlerësoi se, me bazë në provat ekzistuese, pritet që çështja të dërgohet në gjykim në janar 2024, duke lënë hapësirë për ndryshime nëse dalin prova të reja.

“Lidhur me hetimin, hetimi është në vazhdim e sipër. Megjithatë presim që do të ketë vetëm disa hapa shtesë në këtë fazë duke pasur parasysh provat që tashmë i kemi vlerësimi i jonë është që kjo do të na qojë në janar 2024. Natyrisht këtë e them që duhet marrë parasysh kushtin që nëse dalin prova të reja dhe që të lejmë hapësirë për këtë mundësi” – deklaroi Shahabbudin

Në lidhje me provat, Shahabbudin shtoi se ZPS-ja mbështetet në dokumente, materiale, të dhëna nga thirrjet telefonike, transkripte dhe dëshmitarë.

Ajo bëri të ditur se 103 dokumente, përfshirë rreth 6 mijë faqe dhe 15 deklarata të dëshmitarëve, pritet të paraqiten gjatë procesit gjyqësor.

Avokati i Shalës, Van Puyenbroeck, theksoi rëndësinë e nxjerrjes së materialeve në mënyrë të shpejtë për të lejuar përgatitjen e mbrojtjes.

“Nxjerrja e materialeve e përshpejtuar është tejet e rëndësishme për çështjen e paraburgimit sepse një nxjerrje e tillë do t’i jap mundësinë mbrojtjes që të bëjë një kërkesë. Mbrojtja ka nevojë që të shqyrtojë të gjitha materialet relevante dhe kjo me teje nënvizon nevojën e nxjerrjes së materialeve në mënyrë të përshpejtuar”-tha Puyenbroeck.

Prokurorja tha se do të dorëzonte materialet për mbrojtjen para datës 26 janar 2024, por gjyqtari Guillou insistoi që materialet shfajësuese të disponoheshin menjëherë për mbrojtjen.

Për çështjen e bashkimit të çështjeve gjyqësore të Bahtjarit, Januzit dhe Shalës, prokurorja konfirmoi se ZPS-ja kishte dorëzuar një kërkesë për këtë bashkim.

Gjyqtari Guillou urdhëroi miratimin e nënkategorizimit specifik për çështjen.

“Urdhëroj miratimin e nën kategorizimit specifik për çështjen që duhet të aplikohet, zbatohen në Ligen workflow sikurse specifikohet në urdhrin F00017 në paragrafin 21”- tha Guillou.

Shala u arrestua më 11 dhjetor në Kosovë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara më 12 dhjetor 2023.

Në paraqitjen e tij të parë më 13 dhjetor 2023, në mungesë të materialeve i akuzuari vendosi të mos deklarohet në lidhje me fajësinë.

Sipas aktakuzës, me udhëzim të Haxhi Shalës, Januzi dhe Bahtijari u takuan secili më vete me Dëshmitarin 1 në dy raste për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.

Aktakuza madje pretendon se dëshmitari ka thënë se nëse do t’i ofronin 200 mijë euro ata do të arrinin një marrëveshje.

“Dëshmitari 1 u përgjigj se nëse Shala dhe/ose të tjerët i sjellin atij 200 mijë euro, ata do të kishin një marrëveshje. Dëshmitari 1 nuk e konfirmoi apo mohoi të qenit dëshmitar. Januzi tha se do t’u tregonte atyre atë që kishte thënë Dëshmitari 1” – sqarohet në aktakuzën e publikuar.

Sipas Prokurorisë, Haxhi Shala akuzohet për: (I) frikësim dhe (II) tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

Si i përshkruan Prokuroria takimet?

Aktakuza thotë se kontakti i parë mes palëve ka ndodhur më 5 prill, kur Haxhi Shala ka telefonuar Sabit Januzin dhe më pas Ismet Bahtijari po ashtu ka thirrur Januzin.

Më pas, sipas Prokurorisë, Bahtijari ka shkuar në shtëpinë e Dëshmitarit 1 dhe i ka thënë se Shala e ka dërguar për t’i thënë se ai duhet ta tërhiqte dëshminë e tij.

“Bahtijari u largua nga shtëpia e Dëshmitarit 1 dhe shkoi në një makinë aty pranë ku po prisnin dy burra, me një person të tretë në ulësen e shoferit” – thuhet më tej në aktakuzë.

Kjo, sipas Prokurorisë, ka bërë që Dëshmitari 1 të brengoset për sigurinë e familjes së tij.

Pas kësaj vizite, thuhet se Januzi kishte kontaktuar përmes telefonit ndaras me Shalën dhe Bahtijarin për të koordinuar një takim personal në të njëjtën mbrëmje.

“Në ditët në vijim, Shala dhe Januzi, mes te tjerëve, qëndruan në kontakt, duke përfshirë lidhjen me telefon të paktën katër herë midis 6 prillit dhe 9 prillit 2023” – vazhdon aktakuza.

Kontakti i dytë, gjithmonë sipas Prokurorisë Speciale, ka ndodhur më 12 prill, kur Januzi pak pasi ka telefonuar Shalën, ka shkuar në shtëpinë e Dëshmitarit 1.

“Januzi i tha atij se Shala i kishte kërkuar Januzit të vazhdonte vizitën e Bahtijarit dhe të zbulonte se çfarë kishte planifikuar të bënte Dëshmitari 1 dhe si mund të trajtohej çështja e dëshmisë së tij” – thuhet në aktakuzë.

Siç thuhet në aktakuzë, Januzi i kishte thënë dëshmitarit se mesazhi i Shalës është se nëse ai e tërheq dëshminë e tij atëherë Shala dhe persona të tjerë do t’i ofronin atij ndihmë.

“Dëshmitari 1 u përgjigj se nëse Shala dhe/ose të tjerët i sjellin atij 200 mijë euro, ata do të kishin një marrëveshje. Dëshmitari 1 nuk e konfirmoi apo mohoi të qenit dëshmitar. Januzi tha se do t’u tregonte atyre atë që kishte thënë Dëshmitari 1.” – thuhet në aktakuzë.

Menjëherë pas kësaj vizite, Prokuroria pretendon se Januzi ka thirrur përsëri Shalën.

Si pasojë e këtij kontakti, Prokuroria thotë se Dëshmitari 1 ishte edhe më tej i shqetësuar për sigurinë e tij dhe të familjes së tij.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.