Shpjegimi i serbit të arrestuar për blerjen e emblemave të UÇK-së

Tre shtetas të Serbisë janë arrestuar të shtunën në mbrëmje në Prishtinë nga Policia e Kosovës.

KALLXO.com mëson se dy nga të arrestuarit ishin vëllezër ndërsa i treti ishte i afërm i tyre.

Të njëjtëve gjatë kontrollit Policia u kishte gjetur disa emblema të UÇK-së ndërsa ishin intervistuar për të sqaruar rrethanat se pse mbanin emblemat në veturën e tyre.

Avokatja Jovana Filipoviq, e përshkruan klientin e saj D.D., 23-vjeçar, si jurist të diplomuar, i cili ka një lokal në Nish në të cilin mban pajisje si maska, imitim të armëve si dhe pajisje ushtarake.

Filipoviq thotë se klienti i saj ka deklaruar në Polici se është koleksionues i emblemave të ndryshme.

“Ai është koleksionues, mbledh emblemat e të gjithë ushtrive, e ka një koleksion prej mbi 3 mijë emblema. Ai bleu pesë emblema, njërën e kishte planifikuar për vete, njërin për dyqanin e tij dhe të tjerat për të bërë ndërrime me emblema të tjera”, thotë Filipoviq për KALLXO.com.

Sipas avokates Filipoviq, 23-vjeçari D.D., ka lindur në Kosovë, më saktësisht në Llapnasellë, ndërsa jeton në Nish.

Tutje avokatja shton se D.D., vjen shumë shpesh në Kosovë.

E pyetur në lidhje me arrestimin e tij në Prishtinë Filipoviq tha se ai kishte ardhur për të përkujtuar disa të vdekur.

KALLXO.com raportoi në lidhje me rastin e ndodhur të shtunën në mbrëmje.

Të dyshuarit ishin ndaluar në lagjen “Dragodan” ndërsa ishin dërguar në polici për intervistim për të sqaruar rrethanat e gjetjes së emblemave të UÇK-së në veturën e tyre.

Edhe prokurori i rastit në Prokurorinë Speciale Haki Geci kishte përshkruar se të dyshuarit kanë deklaruar se janë koleksionues të emblemave.

Të njëjtat ata i kishin blerë në një qendër tregtare.

Tre të arrestuarit janë liruar me urdhër të prokurorit special Haki Gecaj, pasi ky i fundit tha se nuk ka prova që ta dërgojë rastin në gjykatë.

Ministrja e Drejtësise, Albulena Haxhiu, gjatë ditës së sotme ka mbajtur një konferencë për media për këtë çështje.

Ajo tha se Prokuroria i ka liruar të dyshuarit në mënyrë të çuditshme.

“Prokuroria i ka liruar në procedurë të rregulltë, është vendim i çuditshëm dhe i befasishëm për ne si qeveri dhe për qytetarët, pra fakti që nuk janë mbajtur as 48 orë tregon mospërfilljen e rrezikut të sigurisë se vendit”, tha ajo.

Lirohen shtetasit serbë që u kapën në posedim të disa emblemave të UÇK-së