Shpenzimet e ministrit të AAK-së për vizitën zyrtare në ShBA rreth 4 mijë euro

Dy ministra të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Selim Selimi, ministër i drejtësisë dhe Meliza Haradinaj- Stublla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në mes të muajit të kaluar morën udhë drejtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Këtë vizitë zyrtare, dy ministrat e Ramush Haradinajt e bën vetëm disa ditë para se në Shtëpinë e Bardhë Kosova dhe Serbia të nënshkruanin dokumente zotimesh mbi disa çështje ekonomike e politike.

KALLXO.com kërkoi qasje përmes kërkesës për qasje në dokumente publike në shpenzimet e ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi për vizitën e cila përfshinë datat 15 gusht deri më 22 gusht të këtij viti.

Gjatë këtyre ditëve, Selimi shpenzoi afër 4 mijë euro. Në akomodim, sipas përgjigjes së zyrës për media të MD-së, janë shpenzuar 638 euro e 15 cent. Para të xhepit, 528 euro ndërsa biletat kanë kushtuar 1 mijë e 650 euro e 77 cent, dhe 1 mijë e 182 euro e 84 cent.

KALLXO.com ka dërguar kërkesë për qasje në dokumentet publike edhe për shpenzimet e Meliza Haradinaj- Stublla, që ishte në këtë vizitë zyrtare së bashku me Selim Selimin, por ende kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.

Zyra për medie e MD-së ka dhënë edhe shpjegimet e takimeve të ministrit Selimi në ShBA.

“Gjatë këtij udhëtimi, ashtu siç edhe është pasqyruar në media nga Ministria e Drejtësisë, ministri Selimi është takuar me përfaqësues të lartë nga Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare (OIA) të Departamentit të Drejtësisë, Bruc Ohr, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Mattheë Palmer, përfaqësuesin e lartë të USAID për Evropën dhe Euroazinë, z. Brock Bierman, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e ShBA-së, Jorgan Andreës, nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), Ryan Tully, drejtor i Lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Amanda B. Ahlers, Drejtoreshë për Çështjet Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

KALLXO.com raporton në vazhdimësi për shpenzimet e parasë publike nga bartësit e institucioneve.