Shpend Ahmeti: Sot jemi më keq se ku kemi qenë para taksës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, pas heqjes së masave të reciprocitetit për produktet e importuara nga Serbia.

Ahmeti ka thënë se Kosova tash është më keq se para tarifës 100 përqind.

“Dy vite dramë, e sot jemi më keq se ku kemi qenë para takses. Nuk e kam problemin me disa që nuk kanë pas qëndrim apo që kanë qenë kundër këtyre veprimeve karshi Serbisë, por disa që na shtyen në konfrontim me disa shtete mike e sot përveq që janë pjesë e këtij vendimi nuk e thanë asnjë fjalë”, ka shkruar ai në Facebook.

“Siç e kam thënë edhe më fillim të 2019, të ndarë do të na sakatojnë (sikurse me taksën). Të bashkuar do të ishim shumë më të mbrojtur, por dikush më pak e dikush më shumë e kanë vetën më me rëndësi”, thuhet në publikimin e tij.

Qeveria Hoti sot në mbledhjen e saj ka shfuqizuar vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.

Nën udhëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ekzekutivi ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars 2020 të qeverisë së kaluar Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë.

“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm sot, duke hequr pengesat e dialogut. Ne presim të njëjtën gjë nga pala serbe që t’i hiqen pengesat, e të vazhdojmë tutje”, ka deklaruar kryeministri Hoti.