Merdare - Foto: KALLXO.com

Qeveria njofton edhe njëherë se me 1 gusht nis reciprociteti i letërnjoftimeve me Serbinë

Qeveria e Kosovës më 29 qershor të këtij viti mori vendim që të aplikojë reciprocitet ndaj qytetarëve të Serbisë, të cilët kur hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.

Ky vendim do të filloj zbatimin këtë të hënë, më 1 gusht 2022 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator 2022.

Përmes një njoftimi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka rikujtuar sot edhe njëherë se nga data 1 gusht ky vendim do të nis së zbatuari.

“Të dashur qytetarë, bazuar në vendimin e Qeverisë, ju rikujtojmë se nga data 1 gusht 2022, çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës me dokument identifikimi personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë do të pajiset me Dokument Hyrje/Dalje”, thuhet në postimin e Qeverisë.

Sipas Qeverisë, ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor dhe ajror dhe dokumenti në fjalë ka afat vlefshmërie nëntëdhjetë ditë.

Po ashtu, Qeveria ka njoftuar se me një dokument të tillë do të pajisen edhe personat e moshës nën 16 vjet të cilët nuk posedojnë dokument identifikimi, me kusht që të kenë me vete certifikatën e lindjes me fotografi.

Ky fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.

Kujtojmë se po ashtu, Qeveria kishte vendosur që pronarët e automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Kurti për targat: Nuk jemi kundër qytetarëve serbë, duam që të bashkëpunojmë