Kurti: 1 shtatori do të jetë ditë normale në pikat kufitare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se 1 shtatori do të jetë një ditë normale në pikat kufitare me Serbinë.

Këtë kryeministri e ka thënë për BBC Serbia, duke shtuar se ajo që u ndërpre para mesnatës së 1 gushtit mund të jetë pikënisja nga e cila do të rifillojë më 1 shtator.

“1 shtatori do të jetë një ditë normale në pikat kufitare – ose do të nxjerrim dokumente hyrje-dalje, ose të dyja palët do t’i anulojnë”- ka deklaruar Kurti.

“I kam thënë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq pranoji dokumentet, më tha jo se kështu e pranoj pavarësinë e Kosovës. Edhe pse kjo nuk është e vërtetë, pasi edhe Rumania, Sllovakia, Qipro nuk e njohin pavarësinë, por dokumentet e Kosovës, po”- ka shtuar ai.

Kreu i ekzekutivit ka folur edhe për targat që Serbia i lëshon në emër të qyteteve të Kosovës, i cili tha se Qeveria ka dhënë afat prej dy muajsh për t’i ndërruar.

“Do të vazhdojmë me fushatën informuese për ndërrimin e targave me përfitime të shumta – pa TVSH, akcizë dhe doganë. Zëvendësimi mund të fillojë menjëherë dhe afati i përfundimit të procesit nuk do të jetë 1 shtatori, por dy muaj më vonë”- ka thënë Kurti.

Një ditë para se të hynte në fuqi vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve serb për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugën në pjesën veriore të Kosovës, në Jarinje dhe Bërnjak.

Ndërsa Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan në Kosovë vendosi të shtyjë për 30 ditë zbatimin e dy vendimeve, atë për dokumentet e hyrje-daljeve dhe për targat.