Vërshimet në Lagjen e Boshnjakëve, Foto: KALLXO.com

Shpallet gjendje emergjente edhe në Mitrovicë

Për shkak të reshjeve të shumta të shiut që kanë ndodhur gjatë ditës së sotme, pas Skenderajt edhe Komuna e Mitrovicës ka shpallur gjendje emergjente.

Kryetari kësaj Komune, Bedri Hamza, pas vlerësimit të gjendjes së shkaktuar nga reshjet e shiut dhe koordinimit me drejtorinë përkatëse ka formuar dhe aktivizuar Qendrën Operative Emergjente për Menaxhimin dhe Monitorimin e situatës së shkaktuar nga reshjet e shiut.

Sipas një njoftimi, kjo Qendër Operative Emergjente ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm, ku thuhet se është diskutuar për gjendjen aktuale me të cilën po përballet qyteti i Mitrovicës, si pasojë e reshjeve atmosferike.

“Hapja e këtij takimi është bërë nga kryetari i komunës, Bedri Hamza, i cili pasi i ka njoftuar anëtaret me situatën aktuale në Mitrovicë, ka shpallur gjendje emergjente, si pasojë e të reshurave të dendura të shiut” – thuhet në njoftim.

Tutje është treguar se në fjalën e tij, Hamza ka theksuar se si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera është rënduar situata në përgjithësi, dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, ka marrë vendim që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në të gjithë territorin e komunës së Mitrovicës.

“Qendra Operative Emergjente për Menaxhimin dhe Monitorimin e situatës së shkaktuar nga reshjet e shiut është në përbërje: drejtoritë komunale; Policia e Kosovës, Njësiti i Zjarrfikësve, Forca e Sigurisë së Kosovës, Qendra Operative Rajonale, Ujësjellësi, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Kryqi i Kuq, Ekipi i Kërkim Shpëtimit si dhe Klubi i Zhytësve” – tregohet tutje.

Sipas njoftimit anëtarët e Qendrës Operative u kanë bërë apel qytetarëve për kujdes të shtuar në qarkullim, deri në tejkalimin e kësaj gjendje.

Pak më herët, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka njoftuar se situata e vështirësuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdojë dhe gjatë orëve dhe ditëve në vijim.

Në lidhje me këtë IHK ka publikuar këshillat dhe veprimet të cilat duhen të merren gjatë një përmbytje.

“Si pasojë e reshjeve të shiut të cilat janë duke vazhduar me intensitet të lartë sidomos në disa pjesë të vendit, (pjesa perëndimore, veriperëndimore, veriore dhe qendrore e Kosovës), disa lumenj kanë dalur prej shtretërve të tyre dhe janë duke shkaktuar përmbytje’ – thuhet në njoftimin e Institutit.

IHK ka theksuar se zonat më të prekura janë ato në perëndim të vendit, sidomos disa vendbanime në komunat si: Pejë, Junik, Deçan, Klinë, Skenderaj, Mitrovicë, Zubin Potok, Leposaviq etj.

Sipas IHK, situata e tillë e krijuar ka shkaktuar vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi të qarkullimit, por edhe përmbytje të tokave bujqësore.