Foto: PRAK/Facebook

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë bëhet pjesë e Forumit Europian të Pacientëve

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka njoftuar se është pranuar me vota unanime si anëtare e Forumit Europian të Pacientëve (EPF), rrjeti më i madh dhe më i rëndësishëm i organizatave të pacientëve në Europë.

PRAK e ka konsideruar këtë të arritur moment historik për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve në Kosovë.

“Nga sot, zëri i pacientëve të Kosovës bëhet pjesë e një familjeje evropiane që përfaqëson mbi 150 milionë pacientë nëpërmjet më shumë se 80 organizatave anëtare. Ky anëtarësim është njohje dhe përgjegjësi. Njohje për përpjekjet tona të deritanishme dhe përgjegjësi për të kontribuar më shumë, më fort dhe më gjerë” – kanë thënë nga PRAK në njoftimin e 24.05.2025.

PRAK ka falenderuar të gjithë partnerët, anëtarët dhe qytetarët që besojnë në misionin e tyre duke thënë “Rruga është e gjatë, por bashkë jemi më të fuqishëm. PRAK tani flet edhe me zë europian!”.