Ministri Vitia përshkruan gjendjen në Klinikat e QKUK-së: Ka shumë 'pika të zeza'

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka folur për gjendjen në Klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Duke ju referuar problemeve me të cilat përballen këto Klinika, Vitia ka thënë se në ShSKUK ka shumë ‘Pika të zeza’.

‘Pikë të zezë’ e ka quajtur ai Klinikën e Ortopedisë, teksa ka thënë se pacientët vazhdojnë të kërkojnë trajtim jashtë vendit.

“Tash hapur dhe pa perde ka shumë pika të zeza në ShSKUK. ‘Pikat e zeza’ në QKUK sa i përket perspektivës që ju e ngritët për momentin është Ortopedia. Një numër i madh i pacientëve për shkaqe të cilat munden me investime të bëhen këtu, vazhdojnë të kërkojnë trajtim jashtë vendit. Por duhet ta them këtë që një pjesë e pikave të zeza në QKUK është një problem sepse ka pika të zeza nëpër spitalet regjionale dhe kjo në dymujorin e fundit është duke u trajtuar me një seriozitet dhe me një dinamik që nuk mendoj që kanë që më herët”- ka thënë ai.

Sipas Vitisë, një numër i madh i referimeve qe bëhen nga spitalet e përgjithshme janë komplet të panevojshme duke shkaktuar ‘vrimat e zeza’ për shkak të mbingarkesës në QKUK.

Vitia ka përmendur një shembull kur në QKUK nuk ka vende të lira për raste koronare kurse, sipas tij spitalet regjionale “janë pothuajse bosh”.

“Me menaxhmentin dhe Bordin e SHSKUK tani jemi duke përgatitur plan të detajofshim të veprimit që referimet nga spitalet regjionale duhet ta kenë një bazë. Spitalet regjionale janë pesë funksionet kryesore që duhet t`i bëjnë atje. Kam kërkuar arsyet për këto referime. Spitalet e përgjithshme të mos janë qendra referimi për QKUK por të marrin qytetarët shërbimet që duhet të marrë”- u shpreh ai.

Këto deklarime Vitia i ka bërë në kuadër të konferencës “Të kuptojmë dobësitë e Kosovës në shëndetësi dhe mjedis”, të premten u mbajt diskutimi kryesor në lidhje me sfidat e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe Programin për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike.