Foto: KALLXO.com, Gastronomia. Ilustrim

Shoqata e Gastronomëve shpresat i ka te Qeveria, opsion mbetet protesta

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës po shpreson tek Qeveria e Kosovës, për lirimin e masave për këtë sektor.

Pas takimit që kishin kjo Shoqatë në Komitetin për vlerësimin dhe koordinimin e situatës emergjente me COVID-19, ata po shpresojnë që Qeveria do t’i marr parasysh kërkesat e tyre.

Veton Zuka nga kjo Shoqatë, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se kërkesat e tyre janë ato që kanë qenë prej fillimit, ndërsa tha se Komiteti në njëfarë mënyre i ka pranuar kërkesat.

“Kërkesat tona kanë qenë ato që janë prej fillimit, lirimi i masës së kohës, pra deri në ora 00:00. Lejimi i punës brenda hapësirave së lokaleve, me respektime ekstra të distancës, higjenës dhe këtyre masave. Në një farë mënyre i kanë pranuar këto si rekomandime tona, i kanë shqyrtu”, ka thënë Zuka përmes telefonit.

Ai tha se nuk ka vendim ende, sepse Komiteti nuk merr vendime, por që nesër ministri do ta paraqes opinionin e Komitetit në Qeveri dhe deri të premten pritet të ketë një vendim, në të kundërtën opsion mbetet protesta.

“Për nja dy-tre ditë shpresojmë që Qeveria të merr vendim. Sipas ministrit, ai nesër e dërgon kërkesën dhe opinionin e Komitetit dhe presim deri të premten të merret vendimi, përndryshe neve na mbetet opsioni i protestës”, tha Zuka.

Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës emergjente me COVID-19 sot ka mbajtur një takim. Pas këtij takimi, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka thënë se ende nuk ka vendim për lirim të masave, pasi për ato do të vlerësohen sipas situatës.

“Në emër të ministrisë së Shëndetësisë, jemi pak konservativ në lirimin e tepruar, nuk do të lejojmë asnjë gabim të cilin mund të na shkaktojë”, ka thënë Zemaj.

VIDEO – Zemaj: Nuk ka zbutje të masave anti COVID-19