Shlyhen emrat e dëshmorëve në kompleksin memorial në Marinë të Skenderajt

Në kompleksin memorial qe u përurua vetëm dy vite më parë, në fshatin Marinë të Skenderajt, emrat e disa prej dëshmorëve të shënuar në mermer kanë filluar të shlyhen.

Për këtë çështje u pyet në debatin “Jeta në Komunë” edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari që mori merita për rivarrosjen e 158 dëshmorëve të zonës së Drenicës në këtë kompleks.

Jashari ka deklaruar se nuk është kompetencë e komunës mirëmbajtja e këtij memoriali.

“E di shumë mirë gjendjen se qysh janë. Kjo është përgjegjësi e komisionit për memoriale në Kosovë të cilën e udhëheqë Bislim Zogaj. Unë të vetmin kusht që e kam pas të Qeveria Haradinaj në atë kohë, që ky kompleks të mirëmbahet siç mirëmbahet kompleksi “Adem Jashari…Këto ende nuk ka përfundu gjithçka, emra të fshim e disa janë shkru edhe gabim datat”, deklaroi Jashari.

KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale te Kosovës (AMKMK), Bislim Zogajn.

Zogaj tha se kanë kontraktuar kompaninë “Sinani Ing” të cilët thonë se kanë për obligim ruajtjen dhe mirëmbajtjen e këtij memoriali.

Ai deklaroi se kompania ka nisur të rregullojë emrat të martën.

“Kompleksi Memorial i Marinës është nen mbikëqyrjen e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale te Kosovës. Agjencia si për shume memoriale tjera ashtu edhe për ketë memorial, ka zhvilluar procedurat e tenderimit për përzgjedhjen e kompanisë për mirëmbajtjen e këtij memoriali me c ‘rast është përzgjedhur  sh.p.k Sinani Ing. Kjo kompani e ka për obligim ruajtjen dhe mirëmbajtjen e këtij memoriali. Sa i përket shlyerjes se emrave normalisht se kohe pas kohe mund te ketë edhe shlyerje te tyre dhe dëmtime tjera por kompania obligohet qe ti rregulloj ato ne afatin me te shkurte. Kështu ka ndodhur edhe ne Marine ku kompania sot i ka rregulluar pothuajse te gjithë emrat”, tha Zogaj në një përgjigje për KALLXO.com, të martën.

KALLXO.com ka vizituar kompleksin memorial të mërkurën dhe ka vërejtur se emrat e disa prej dëshmorëve vazhdojnë që vështirë të identifikohen.

Edhe kompania Sinani Ing ka larguar barrën nga veti për mirëmbajtën e emrave të shënuar në mermer.

Ata thonë se nuk kanë kontratë për rregullimin e të dhënave të dëshmorëve. Por që shtojnë se kanë biseduar me Agjencinë që inxhinerë të kompanisë do të angazhohen në rregullimin e tyre sa më shpejtë.

“Në pjesën e mirëmbajtjes nuk janë të përfshira rregullimi i emrave. Ne jemi tu rregullu do drita për momentin e emrat si kemi në kontratë po kanë biseduar inxhinierët me agjencionin e shpejt rregullohen edhe ata. Se nuk është faji jonë se nuk i kemi  me kontratë po ne do të bëjmë të pa mundurën për mi shënu emrat e dëshmorëve po të thash qe janë inxhinierët qe janë tu punu ne ketë drejtim”, u shpreh kompania për KALLXO.com