Ceremonia e rivarrimit te deshmoreve te UCK-e ne Marine

Inaugurohet kompleksi i 158 dëshmorëve të Drenicës - FOTO

Me një ceremoni shtetërore sot është inauguruar kompleksi i 158 dëshmorëve në Marinë të Skenderajt. Në këtë kompleks janë rivarrosur 158 dëshmorë të zonës së Drenicës.

Pranë familjareve të dëshmoreve dhe qindra qytetarëve, në ceremoni ishin të pranishëm edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Skenderajt  Bekim Jashari, kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, shoqata të dalura nga lufta e shumë të tjerë.

Presidenti Thaçi ka bërë të ditur se ka vendosur që dëshmorët e varrosur në këtë kompleks, t’i nderojë me urdhrin “Hero i Kosovës”.

“UÇK-ja nga strategët dhe teoricienët e luftës botërore konsiderohet si guerilja, lëvizja çlirimtare më e suksesshme e shekullit 20-të në botë. Ajo doli nga populli. Ishte ushtri e vullnetit dhe e gatishmëri për flijim për liri dhe çlirim”, tha presidenti.

Thaçi edhe sot në Marinë nuk la pa përmendur idenë e tij për korrigjimin e kufijve.

“Sot Kosova po punon në konsolidimin e brendshëm të saj, po punon  për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, presim edhe liberalizimin e vizave. Edhe FSK  po punojmë që ta transferojmë në ushtri. Si dhe në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të punojmë për të fituar njohje reciproke dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Bashkimin e Luginës së Preshevës me territorin e Kosovës”, tha ai.

Kryeministri Haradinaj ri-përsëriti qëndrimin e tij lidhur me fjalimin e Thaçit për ‘korrigjim të kufijve’, ai tha se nuk guxojmë t’i lëvizim kufijtë që janë vendosur me gjak.

“Duhet ta ruajmë Kosovën në territorin dhe kufijtë e vet, të jenë të paprekshëm prej askujt. Këta kufij na i kanë lënë amanet këta që po i rehatojmë. Nuk guxojmë të lëvizim atë që është mbrojtur me gjak. Ne ju kemi borxh të gjithë dëshmorëve dhe martirëve. Sot po përmbyllet një borxh i yni”, tha Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli gjatë inaugurimit e ka quajtur kompleksin e Marinës si Meka e Kosovës. Ai përmendi edhe transformimin e FSK-së.

“Jemi duke e bërë punën tonë, që nga presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ne të gjithë të tjerët. Mos t’i hapim fjalë njëri-tjetrit, sepse kjo tokë është e shenjtë.  Është çështje e ditëve, e javëve deri në transformimin e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, FSK-ja është UÇK. Urime ky monument i lavdisë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, u shpreh se nga dita e sotme Marina ka hyrë në hartën e kombit si vend ku pushojnë viganët e lirisë.

“Prej sot e kemi më të lehtë frymëmarrjen se po e përmbushim një detyrim ndaj kolosëve tanë të lirisë, duke i vendosur përjetësisht në vendin e merituar”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci në ceremoninë e rivarrimit të 158 dëshmorëve tha se sot po bashkohen heronjtë dhe dëshmorët në zemër të Drenicës.

“Sot po bashkohen ushtaret në zemrën e Drenicës. Faleminderit të gjithëve që kanë bërë ketë punë të vështirë dhe te dhimbshme për të gjithë. Nga sot heronjtë dhe dëshmorët janë të bashkuar ashtu siç ishin të bashkuar në rrugën e lirisë, në krye me komandantin legjendar Adem Jasharin. Sot jemi këtu duke qëndruar “gatitur”, dhe sot u themi familjeve të dëshmoreve duhet te jeni krenar pasi që të gjithë ne jemi krenar me ju” , tha Lladrovci.

Pas përfundimit të fjalimeve, garda ceremoniale e FSK-së ka bërë përcjelljen e rivarrimit të heronjve të kombit, komandantëve dhe kolosëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha.