Foto: RTK
Osmani në Marinë të Skenderajt: Po e nderojmë heroizmin e gjithë dëshmorëve të UÇK-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari kanë vazhduar aktivitetet e tyre sot , duke bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë, në Skenderaj.
Osmani tha se po nderojnë heroizmin e gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Sot së bashku më kryetarin Jashari po nderojmë heroizmin e gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atyre që e bënë bazamentin dhe themelet e shtetit tonë të pavarur, duke dhënë jetën në mbrojtje të atdheut e në mbrojtje të gjithë qytetarëve tanë”, tha ajo.
Presidentja shtoi se kurrë nuk është e mjaftueshme për të treguar nderimin për ta sepse as liria e as shteti nuk do të ishin të mundur pa ta.
Kurse, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari tha se e kaluara është aq sa e dhimbshme, edhe krenare.
“Ne sot nderuam të kaluarën tonë, me shumë vuajtje me shumë sakrificë, aq sa e dhimbshme por edhe krenare. Një ideal brez pas brezi që për fat tonin arritëm ta shijojmë lirinë më në fund. Këtë amanet të dëshmorëve mund ta realizojmë vetëm të bashkuar dhe duke zhvilluar vendin tonë”, tha ai.
Jashari tha se e falënderon presidenten Osmanin për respektin ndaj dëshmorëve të UÇK-së.
Gjatë ditës presidentja Osmani dhe kryetari Jashari vizituan edhe kullën e Ilaz Kodrës në Skenderaj.