Shkupi lufton me fatin e anijeve artificiale në lumin Vardar

Një përpjekje për të hequr tre anije të rremë të ngritura në lumin Vardar një dekadë më parë ka shkuar dëm, duke lënë pas një kujtim të shëmtuar të megalomanisë së një ish-kryeministri të arratisur.

Gjatë viteve të fundit, vizitori më i shpeshtë i anijes artificiale në lumin Vardar të Shkupit ka qenë era.

Varka herë mban erë tualet, herë dru të djegur, në varësi të drejtimit nga i cili fryn era në vrimat e saj.

Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut krenohet me tre anije të tilla në Vardar, të lëna trashëgimi nga qeveria e krahut të djathtë të ish-kryeministrit të arratisur Nikola Gruevski në vitin 2012, si pjesë e një ndryshimi të diskutueshëm, neoklasik të qytetit, i krijuar për të ndezur një ndjenjë identiteti kombëtar.

Gruevski ra nga pushteti në vitin 2016, mandati i tij 10-vjeçar u shoqërua me akuza për korrupsion dhe kapje të shtetit. Në pranverën e vitit 2021, Petre Shilegov, kryebashkiaku i atëhershëm i Shkupit dhe anëtar i socialdemokratëve në pushtet, LSDM, urdhëroi që anija pranë Holiday Inn të shkatërrohej, duke përmendur dështimin e koncesionarit për të paguar atë që i detyrohej për shkak të pandemisë së COVID-19.

Dy vjet më vonë, pjesa më e madhe e anijes – në fakt, një ndërtesë në formë anije – mbetet e çimentuar në shtratin e lumit, me një vrimë të madhe të hapur në trupin e saj, kuvertën e shkatërruar, e mbuluar me plehra dhe në një cep ka një batanije dhe një jastëk.

Anija funksionoi për një kohë si kafene dhe dritaret e saj të thyera mbajnë ende emrin e kazinosë që ishte planifikuar të hapej aty.

Shilegov donte ta hiqte qafe pa i detyruar taksapaguesit të paguanin faturën e vlerësuar prej 5 milionë eurosh, por koncepti i tij u fundos në Vardar dhe shkatërrimi i saj tani po zhytet në një mosmarrëveshje ligjore.

Në një tjetër anije të tillë, Stojan Filipovski, i cili fitoi koncesionin për ta drejtuar atë si bar dhe hotel, nuk është i habitur.

“Anija që nisi të shkatërronte Shilegovi është një tallje”, tha ai për BIRN. “Të huajt pyesin se si është puna me të, natën aty mblidhen lloj-lloj njerëzish, ndezin zjarre dhe çfarë nuk bëjnë.”

I përmbytur, i mbyllur me kyç

Fillimisht, në Vardar ishte planifikuar të ndërtoheshin gjashtë anije të tilla, por mes zhurmave të pakënaqësisë për koston e “Shkupi 2014”, ato do të ndërtoheshin me ndihmën e parave private në të njëjtën mënyrë që u ngritën një sërë baresh sanduiçësh “pseudo-antikë”. Vetëm tre të tillë janë ndërtuar që atëherë.

Autoritetet vendore morën përsipër lidhjen e strukturave me kanalizimet e ujërave të zeza dhe të energjisë elektrike, ndërsa investitori privat u detyrua të ndërtonte anijet prej çeliku dhe druri, me pjesën e brendshme prej gipsi që të mund të hiqeshin lehtë. Koncesionari do t’i paguante qytetit të Shkupit një qira prej rreth 1,000 euro në muaj dhe do t’i menaxhonte anijet si restorante, kafene ose hotele.

Ashtu si pjesa tjetër e rindërtimit të qytetit, e cila fshehu dhjetëra ndërtesa – disa prej tyre shembuj të shquar të arkitekturës së epokës jugosllave – pas fasadave gjasme baroke, anijet u ndërtuan duke imituar anijet me vela prej druri të shekujve 16-18.

Vetëm varka e Filipovskit, pranë qendrës tregtare GTC të Shkupit, është ende në gjendje pune. E treta, pranë godinës së operatorit kombëtar të rrjetit elektrik, MEPSO, funksionoi vetëm për disa muaj si restorant që shërbente pjata me temë Aleksandrin e Madh. Megjithatë, shpejt ajo u përmbyt dhe dyert e saj kanë qenë të mbyllura për vite me radhë.

Kur Gruevski ra dhe LSDM-ja mori pushtetin, autoritetet e reja të qytetit nën Shilegovin thanë se anijet do të duhej të largoheshin, duke argumentuar se ato ishin pengesa që mund ta bënin Vardarin të vërshonte përtej brigjeve të tij në rast shirash të dendur, siç ndodhi në vitin 1962.

“Duam ta lirojmë shtratin e lumit Vardar”, tha Shilegov.

Ai përmendi dështimin e koncesionarit për të paguar detyrimet e tyre gjatë pandemisë COVID-19 si arsye për ta shembur anijen pranë Holiday Inn, por mosmarrëveshja përfundoi në gjykatë dhe prishja u ndal.

Shkatërrimi “një punë e përfunduar”

Shilegov humbi kandidaturën e tij për një mandat të dytë në fund të vitit 2021, kur ai u mund nga kandidatja e pavarur Danela Arsovska.

Administrata e saj nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN në lidhje me fatin e anijeve mbi Vardar. Më parë, në kandidimin për kryetare komune, Arsovska e shmangte këtë çështje, duke shpresuar ndoshta në mbështetjen e opozitës VMRO-DPMNE, dikur e udhëhequr nga Gruevski. “Anija është një punë e mbaruar”, tha ajo pasi mposhti Shilegovin, një vërejtje që sugjeronte se vendimi i prishjes nuk do të anulohej.

Filipovski, një pronar i njohur restoranti në Shkup, tha se do të ishte një gabim.

“Pasi u ndërtuan, a s’do të ishte mirë që anijet t’i linin të punonin, të sillnin disa të ardhura, në vend që t’i shembnin dhe t’i braktisnin ato?”

“Turistët e huaj e duan”, tha ai për anijen që ai drejton si një hotel dhe bar me 18 shtretër. “Ata bëjnë fotografi aty dhe i japin vlerësimet më të mira në internet. Ajo është tashmë një simbol i qytetit.”

Një të mërkurë pasdite, kur gazetari vizitoi vendin, kuverta e barit ishte bosh. Brenda nuk kishte njeri. Dy turistë qëndruan në hyrje, duke diskutuar nëse do të hynin apo jo, por përfundimisht vendosën për jo dhe u larguan pasi bënë foto para varkës.

“Kur është diell, ka njerëz në kuvertë”, tha Filipovski, i cili pretendoi se kishte investuar dy milionë euro. “Vendi nuk ka nevojë të jetë plot; mjafton të ketë vetëm disa njerëz.”

Anija e tretë, afër MEPSO-s, përr herë të fundit është menaxhuar nga kompania e biznesmenit dhe autorit Niche Dimovski-Macedon, i afërm i ish-kryetarit të komunës Koce Trajanovski, nën mandatin e të cilit u vunë në punë këto anije. Dimovski-Macedon ka vdekur që atëherë.

Anija e parë ka shenjat e një zjarri që ra aty një të dielë marsi. Policia, megjithatë, tha se nuk po hetonte pasi as autoritetet e qytetit dhe as koncesionari nuk kishin bërë kallëzim./ Reporter.al