Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Versionet e ndryshme për raportimin rreth dyshimit për "atentat" ndaj Kurtit

10.02.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimin rajonal me udhëheqës të partive simotra të Partisë së Socialistëve Europian, që u mbajt në Selinë e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë në Shkup.

Në të njëjtën ditë, Radio Televizioni i Kosovë kishte raportuar për një plan për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Sipas raportimit të RTK-së, i cili bazohet në burime thuhet “ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe” për vrasjen e Kurtit. 

Pak orë pas këtij raportimi, kishte reaguar Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut kishin thënë se nuk ka pasur asnjë tentim për vrasje ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Ju njoftojmë se gjatë vizitës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për vrasjen e tij. Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë” – deklaroi Ministria e Punëve të Brendshme për Euronews Albania.

Në lidhje me vërtetësinë e informacionit të publikuar nga RTK, KALLXO.com i është drejtuar me pyetje televizionit publik. Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë për KALLXO.com se çështja e këtij lajmi nuk është mbyllur dhe se do të trajtohet më tej.

“Personat përgjegjës, më kanë thënë se burimi i tyre ka ofruar dëshmi, duke përfshirë dokumente të shkruara, audio-incizime, video dhe fotografi lidhur me dyshimet për një plan të tillë”- ka thënë Ahmetxhekaj.

Ahmetxhekaj ka thënë se autori i lajmit ka insistuar në vërtetësinë e lajmit.

“Në rast se lajmi demantohet nga institucionet relevante, atëherë do të merren masat adekuate, bazuar në rregulloret në fuqi. Por, në fazën ku jemi, autori i shkrimit insiston në vërtetësinë e lajmit të publikuar, duke u thirrur natyrisht edhe në të drejtën e mbrojtjes së burimit të informacionit”- ka thënë ai.

Ahmetxhekaj në përgjigjen e tij për KALXLO.com ka përmendur raportimin e shefit të AKI-së, Petrit Ajeti në Komisionin parlamentar për siguri më 21.02.2024. 

Pas raportimit të tij me dyer të mbyllura, deputeti i LVV-së, Salih Zyba, kishte thënë për media se “Ajeti raportoi edhe për rastin e kërcimeve kundër kryeministrit Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij ditë më parë në Shkup”.

“Institucionet relevante nuk e kanë demantuar këtë lajm, prandaj është më rëndësi që të mos nxitohet në etiketime pa u sqaruar e tërë situata. Më 21.02.2024 kishte element tjetër shtesë. Në rast se lajmi demantohet nga institucionet relevante, atëherë do të merren masat adekuate, bazuar në rregulloret në fuqi. Por, në fazën ku jemi, autori i shkrimit insiston në vërtetësinë e lajmit të publikuar, duke u thirrur natyrisht edhe në të drejtën e mbrojtjes së burimit të informacionit” – thuhet në përgjigjen e Ahmetxhekajt.

Në të njëjtën ditë kur ishte publikuar informacioni nga RTK, më 10.02.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklarim për media kishte thënë se nuk është ndjerë i rrezikuar, edhe pse ka mësuar se ka shumë kërcënime për të nga Beogradi zyrtar.

Kurti para mediave tha se gjatë qëndrimit të tij në Shkup, ka vërejtur se ka shumë forca policore që po kujdeseshin për mbledhjen me Partitë Socialdemokrate.

“Unë kam mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura që kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Mirëpo unë sapo erdha nga Shkupi këtu, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veçse kam parë që shumë forca policore të cilët u kujdesen për mbledhjen në Shkup me Partitë Socialdemokrate e ku mysafiri kryesor ishte kryetari i Partisë Socialdemokrate gjermane”- është shprehur kryeministri Kurti.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka treguar në emisionin “Kallxo Përnime”  versionin e tij për lajmin që qarkulloi në media se kishte pasur përpjekje për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, gjatë qëndrimit të këtij të fundit në Shkup më 10.02.2024. 

Xhaferi në një intervistë në “Kallxo Përnime” tha se lajmi që kishte qarkulluar nuk ka të bëjë me realitetin. Ai sqaroi se këtë e konfirmon sipas të dhënave të verifikuara që i posedon.

“Çështja ishte për të ardhë keq sepse përmes mediumit publik shtetëror jepet një informacion për gjoja përgatitje, inskenim, skenim të një atentati të mundshëm, gjë që sipas të dhënave që kam, e që janë të verifikuara, pra nuk janë të dhëna vetëm pse si kryeministër që e them, nuk ka të bëjë me realitetin”- ka deklaruar Xhaferi.