Ilustrim
Shkodër, terrorizonte banorët duke gjuajtur me armë zjarri në ajër, arrestohet 43-vjeçari
Një 43-vjeçar është arrestuar nën dyshimet se ka gjuajtur me armë zjarri në ajër, duke terrorizuar banorët në fshatin Bardhaj të Shkodrës.
Policia e Shtetit ka njoftuar se te i dyshuari është gjetur Kallashnikov dhe municion luftarak.
“Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi i është gjetur një sasi municioni luftarak, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me armën e zjarrit automatik që ai e kishte fshehur në pyll sapo ka parë që ishte rrethuar nga shërbimet e Policisë”- thuhet në njoftim.
Tutje është bërë ditur se i dyshuari B.M. u arrestua në flagrancë.
Në njoftim thuhet se në ndihmë Policisë lokale i shkuan dy grupe të RENEA-s.
Ndërsa Policia e Shtetit ka njoftuar se materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.