foto-ilustrim

Shkëmbimi i mallrave të Kosovës në muajin e pandemisë dhe heqjes së tarifës

Në muajin e parë të pandemisë, dhe heqjes së pjesshme të tarifës për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, në Kosovë pati rënie të përgjithshme të importit dhe rritje të eksportit. Në anën tjetër ka rritje të importit nga dy vendet për të cilat u hoq pjesërisht tarifa në muajin mars.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për -15.3 përqind në muajin mars të sivjetmë, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 219.9 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 259.6 milionë euro në vitin 2019. Eksporti mbulon importin me 12.8%.

Në muajin mars Kosova eksportoi mallra mbi 32 milionë euro ndërsa importoi 252 milionë euro.

“Eksporti i mallrave në muajin mars 2020 kishte vlerën 32.1 milionë euro, ndërsa importi 252.0 milionë euro, që është një rritje prej 8.8% për eksport, dhe një rënie prej (-12.8%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Tutje ASK tregon se sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 43.8 përqind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.6 përqind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.8 përqind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.9 përqind e përbëjnë produktet minerale; 5.9 përqind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 5.3 përqind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.6 përqind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.8 përqind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.1 përqind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 9.9 përqind e përbëjnë produktet minerale; 8.6 përqind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.2 përqind e përbëjnë produktet bimore; 6.7 përqind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.6 përqind e përbëjnë mjetet e transportit, etj.

 

Importi i mallrave nga BE-ja ra në këtë muaj

Në muajin mars Kosova dërgoi mallra në Bashkimin Europian (BE) në vlerë 12.8 milionë euro me partnerë kryesorë Gjermaninë.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.8 milionë euro, ose rreth 39.8% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 3.2%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (7.9%), Britania e Madhe (6.0%), Italia (4.9%), Suedia (4.6%), Holanda (4.6%), etj.”, bën të ditur njoftimi.

Në anën tjetër, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 134.7 milionë euro, ose 53.5 përqind e importeve të përgjithshme, me një rënie prej -7.2 përqind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania 13.5 përqind, Italia 5.8 përqind, Greqia 4.7 përqind, Kroacia 4.3 përqind, Polonia 4.1 përqind, Sllovenia 3.8 përqind, etj.

 

Rreth 34% më pak mallra pati nga vendet anëtar të CEFTA-s

Në muajin mars Kosova eksportoi mallra në vlerë rreth 16 milionë euro të oritnruara më shuma ka Shqipëria.

“Në muajin mars 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 15.8 milionë euro, ose 49.3% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 13.4%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (29.3%), Maqedonia e Veriut (9.5%), Mali i Zi (5.1%), dhe Serbia (4.0%).”, tregon komunikata.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin mars 2020, arritën në 28.8 milionë euro, ose 11.5 përqind të importeve të përgjithshme, me një rënie prej -33.7 përqind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut 5.7 përqind, Shqipëria 4.3 përqind, dhe Serbia 0.8 përqind.

Më tej thuhet se, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 3.4 milionë euro, ose 10.9 përqind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra 5.6 përqind dhe Turqia 1.8 përqind.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 88.4 milionë euro, ose 35.1 përqind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 13.1 përqind dhe Kina 7.8 përqind.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e raportit lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin mars 2020.

 

Importi nga Serbia nga gjysmë milion euro rritet në 1.9 milionë euro

Importi i mallrave nga Serbia në muajin mars 2020,  ishte në vlerën e mbi 1.9 milionë euro ndërsa në muajin e njëjtë të vitit të kaluar vlera e mallrave që erdhën në Kosovë ishin në vlerën e 535 mijë euro apo gjysmë milion euro, që i bie se importi u rrit rreth 1.4 milionë euro më tepër. Rritje të importit pati edhe nga Bosnja Hercegovina nga 34 mijë euro në 102 mijë euro.

Në datën 20-të të muajit mars, Qeveria e Kosovës kishte marr vendim për heqjene  importin në lëndët e para nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“U votua me 10 vota për dhe 2 abstenime Vendimi për të liruar nga tarifa 100% importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.  Sonte, nga ora 24:00 do të hapen gjashtë pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, 1, 31, 3, 4, 5 dhe 6, për importimin e lëndës së parë. Kurse, deri më 1 prill Qeveria e Kosovës do të nxjerr një vendim tjetër për vënien e masave të reciprocitetit në vend të tarifës 100%.”, citohet të ketë posuat kryeministri Kurti.

Pas fuqizimit të vendimit Qeveritarë, në Kosova ka hyrë kamioni i parë me mallrat të Serbisë, pas heqjes së tarifës për lëndën e parë.