Shkelja e privatësisë, Agjencia shtetërore e dënon Këshillin Gjyqësor të Kosovës

 

Po bëheshin 5 vite prej kur një kandidat, qysh në vitin 2018, kishte aplikuar për pozitën e zyrtarit ligjor në Zyrën e Prokurorit Disiplinor, por kurdo që ai kërkonte emrin e tij në internet akoma i shfaqej në kuadër të listës së të papranuarve të shpallur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në ueb-faqen e institucionit, bashkë me të gjithë kandidatët tjerë.

Këtë veprim të KGJK-së Agjencia për Informim dhe Privatësi përmes një vendimi e konsideroi të paligjshëm dhe e urdhëroi institucionin në fjalë që të largoj jo vetëm të dhënat personale të ankuesit por edhe të gjitha listat tjera me të dhënat personale të kandidatëve nga procedurat e rekrutimit të zhvilluara për shërbyesit civil, për të cilët ka përfunduar qëllimi i publikimit.

Kronologjia e rastit filloi kur A. A. i shqetësuar nga publikimi i të dhënave personale, kishte parashtruar ankesë në Agjencinë duke shpjeguar se: “Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, më datë 10.08.2018 ka publikuar emrat e kandidatëve të cilët kanë kaluar dhe nuk kanë kaluar për konkursin Zyrtar Ligjor-3 në Zyrën e Prokurorit Disiplinor. Duke kërkuar në Google vërejta se nga viti 2018 qëndron lista e publikuar në këtë faqe dhe kërkoj nga ana juaj që të ndërmerrni veprime që KGJK të fshijë nga faqja rezultatet e konkursit ku publikohen emrat e kandidatëve dhe posaçërisht emri im”.

Ai e kishte mbështetur pretendimin e tij duke e bashkangjitur linkun nga ueb-faqja e institucionit me shpalljen respektive.

Zyrtarët e inspektimit vërtetuan se e emërtuara “Lista e selektimit të ngushtë” ishte publikuar pikërisht në faqen zyrtare të KGJK-së dhe ajo ishte e ndarë në dy rubrika në të cilën gjendeshin të dhënat personale të kandidateve që plotësojnë kushtet për test me shkrim, si dhe të kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet për listën e ngushtë.

Inspektuesit si të dhëna personale i konsideruan: numrin rendor, numrin e aplikacionit, emrin dhe mbiemrin e kandidatit, si dhe datën e pranimit, që nënkupton datën e pranimit të aplikacionit, të gjitha pjesë e publikimit.

Ata evidentuan se në rubrikën e kandidatëve që plotësojnë kushtet për testim me shkrim, gjenden të dhënat personale të tridhjeteshtatë  kandidatëve, ndërsa në rubrikën e kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet për listën e ngushtë, gjenden të dhënat personale të dymbëdhjetë kandidatëve.

Krejt ky klasifikim për përmbajtje të të dhënave personale të këtij publikimi u bë në bazë të definimit ligjor të përcaktuar nga Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale i cili përcakton se e dhënë personale konsiderohet çdo informacion në lidhje me një person fizik të identifikuar ose të identifikueshëm.

Vendimi i Agjencisë po ashtu sqaroi se baza ligjore e vlefshme për publikimin e të dhënave personale është e lidhur ngushtë me qëllimin e publikimit. Parimi i kufizimit të qëllimit nënkupton se të dhënat personale mund të ruhen vetëm për aq kohë sa është e nevojshme për arritjen e qëllimit. Me rastin e përmbushjes së qëllimit të në këtë rast publikimit, të dhënat personale duhet të asgjësohen, fshihen, shkatërrohen, bllokohen ose bëhen anonime, përveç nëse është paraparë ndryshe me Ligjin përkatës për Arkivat Shtetërore ose me ndonjë ligj tjetër përkatës.

Nga kjo nënkuptojmë se KGJK-ja, pas përfundimit të procedurave të rekrutimit, shpalljes së listës së kandidatëve të suksesshëm, si dhe pas mbarimit të afatit të së drejtës për të paraqitur ankesë, këto lista duhet t’i kishte larguar nga publikimi në faqen e internetit të institucionit, pasi që me kohë kishte mbaruar qëllimi i publikimit të tyre.

LMDhP, përveç tjerash në dispozitat e tij ka përcaktuar edhe të drejtat e subjektit të të dhënave më saktësisht të drejtën e fshirjes e njohur si e drejta për t’u harruar, i cili në rastin respektiv të trajtuar nga Agjencia ka shkuar pikërisht në favor të ankuesit.

Agjencia ka shpjeguar se e drejta e fshirjes nënkupton se ankuesi A. A. si subjekti i të dhënave ka të drejtën që të kërkojë nga KGJK-ja të bëjë fshirjen e të dhënave personale në lidhje me të, pa vonesë dhe KGJK-ja ka detyrimin të fshijë të dhënat personale, pa vonesë të panevojshme, nëse të dhënat personale nuk janë më të nevojshme në lidhje me qëllimet, për të cilat ato janë mbledhur ose publikuar, apo nëse mbledhja apo publikimi i tyre është bërë kundërligjshëm.

Për me tepër Agjencia ka tërhequr vërejtjen se publikimi i listave nga KGJK-ja apo ndonjë institucion tjetër publik me kandidatët e përzgjedhur në listën e shkurtër në faqe të internetit e aq më pakë publikimi i listës me kandidatët që nuk plotësojnë kriteret për vazhdimin e procedurave të mëtutjeshme të rekrutimit nuk kanë kurrfarë baze ligjore.

Publikimi i të dhënave personale të kandidatëve në faqen e internetit të institucionit ka bazë ligjore vetëm kur janë në pyetje kandidatët e suksesshëm në procedurën përfundimtare të rekrutimit, pra. kandidatët që kanë kaluar të gjitha fazat paraprake. Për më tepër kur është në pyetje kjo kategori kandidatësh, publikimi i emrave të tyre bashkë me vendin e punësimit dhe pikët e fituara gjatë procedurës së përzgjedhjes në faqen e internetit nuk është vetëm i ligjshëm por është edhe obligim ligjor për institucionet bazuar në nenin 41, paragrafin 2 të Rregullores për Procedurat e Rekrutimit të Shërbimit Civil.

E vetmja rrugë ligjore që do të mundësonte publikimin e ligjshëm të këtyre listave të kontestuara, do të ishte marrja e pëlqimit paraprak të kandidatëve përmes aplikacionit për punësim. Kjo formë e marrjes së pëlqimit do t’i jepte të drejtë ankuesit A. A. dhe kandidatëve të tjerë që në mënyrë të lirshme të jepnin pëlqimin e tyre për publikimin e të dhënave. Një hap i cili nuk ishte ndërmarrë nga KGJK-ja.

Vendimin karshi Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Agjencia e arsyetoj me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të personave fizik, e në veçanti të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale.