Shkarkimi i Valdete Dakës 'trazon ujërat' në skenën politike

Shkarkimi i kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, nga presidentja Vjosa Osmani ka ‘trazuar ujërat’ në skenën politike.

Për këtë i menjëhershëm ka qenë reagimi i partive opozitare, PDK, LDK dhe i shoqërisë civile, duke e cilësuar si goditje të rëndë ndaj një institucioni të pavarur, siç është KQZ.

Presidentja Vjosa Osmani sot njoftoi se e ka liruar nga detyra kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka.

Në vendimin e saj për shkarkimin e Dakës, Osmani ka thënë se “kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së”.

Pas shkarkimit të Dakës, Osmani emëroi Kreshnik Radoniqin kryetar të ri të KQZ-së, i cili është gjyqtar në Departamentin special të Gjykatës së Apelit.

Opozita: Shkarkimi, ndërhyrje në KQZ

PDK shkarkimin e Dakës e ka quajtur zbatim të urdhrave të kryeministrit Albin Kurti nga presidentja, Vjosa Osmani.

“Presidentja e vendit, sot e zbatoi urdhrin politik të Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje për të kapur edhe një institucion tjetër siç është KQZ-ja. Ky shkarkim është sulm mbi KQZ-në dhe kapje e tij pak muaj para organizimit të zgjedhjeve lokale në vend. Ky veprim është shkelje kushtetuese dhe ndërhyrje në institucione”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra.

Reagim pati edhe nga LDK, e cila e cilësoi si të pabazuar dhe me argumente të paqëndrueshme vendimin e presidentes.

“Puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Prandaj, vendimin e sotëm e shohim si goditje të rëndë ndaj një institucioni të pavarur kushtetues me performancë të mirë”, thuhet në një komunikatë për media.

Sipas LDK-së, vendimi, për më tepër, rrezikon edhe pavarësinë e mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, në prag të të cilave është Kosova.

“KQZ-ja, në këtë periudhë përgatitore ka pasur nevojë për stabilitet institucional. Ky stabilitet është cenuar. Prandaj, si i tillë, vendimi i sotëm, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është i papranueshëm dhe një goditje për lirinë dhe demokracinë në vendin tonë”, thuhet më tej në reagimin e tyre.

Shoqëria civile: Shkarkimi i Dakës – i motivuar politikishtk

Vendimi i presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e Dakës nga KQZ nxiti edhe reagimin e disa organizatave të shoqërisë civile.

Organizatat, Demokracia në Zhvillim, Instituti Demokratik i Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi, ai për Studime Politike, Lëvizja Fol, Organizata Nëna Tereze, Çohu, Syri Vizionit, Demokracia Plus, INDEP dhe INPO, e kanë konsideruar si vendim të motivuar politikisht.

“Bazuar në vendimin për shkarkim, ne vlerësojmë që argumentet e shtruara nga Presidentja janë të pabazuara dhe paraqesin keqinterpretim të situatave përkatëse. Mes tjerash, kryetares së KQZ-së i atribuohen ekskluzivisht të gjitha përgjegjësitë dhe dështimet e supozuara të KQZ-së, përkundër faktit që Kryetarja e KQZ-së është vetëm një nga njëmbëdhjetë anëtarët me të drejtë vote.”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga raportet vendore dhe ato ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve.

“Gjithashtu, marrja e këtij vendimi në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale përbën ndikim të drejtpërdrejtë në pavarësinë, integritetin dhe mbarëvajtjen e punës së KQZ-së në organizimin dhe administrimin e atyre zgjedhjeve”, thuhet më tej në reagimin e tyre.

Daka ka udhëhequr KQZ-në qysh nga qershori i vitit 2010, derisa mandat kishte deri më 2025, apo mandat 7-vjeçar. Ajo po ashtu është gjyqtare në Gjykatën Supreme të Kosovës.