Blerta Deliu: Vjosa Osmani zbatoi urdhrin e Kurtit për shkarkimin e Valdete Dakës

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike, Blerta Deliu Kodra, e ka quajtur ‘sulm’ mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shkarkimin e Valdete Dakës me vendim të presidentes, Vjosa Osmani Sadriu.

Deputetja e PDK-së në një konferencë për media ka thënë se presidentja Vjosa Osmani Sadriu nga sot e ka kapur institucionin e KQZ-së.

“Presidentja e vendit, sot e zbatoi urdhrin politik të Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje për të kapur edhe një institucion tjetër siç është KQZ-ja. Ky shkarkim është sulm mbi KQZ-në dhe kapje e tij pak muaj para organizimit të zgjedhjeve lokale në vend. Ky veprim është shkelje kushtetuese dhe ndërhyrje në institucione”, tha Deliu Kodra.

Tutje ajo tha se PDK fton të gjithë ambasadat e vendeve të QUINT-it të reagojnë ndaj këtij shkarkimi.

Sot, kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka është shkarkuar nga kjo pozitë.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Presidencës të nënshkruar nga presidentja Vjosa Osmani.

Në vendim thuhet se Zyra e Presidentes i ka dërguar vendim ish-kryetares së KQZ Valdete Daka në të cilin thuhet se i ndërpritet mandati si kryesuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ndërkaq, vetëm pak orë pas shkarkimit të Valdete Dakës nga pozita e kryetares së KQZ-së, presidentja Vjosa Osmani ka emëruar kryetarin e ri të këtij komisioni, Kreshnik Radoniqi.